Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot në orën 11 e 30 do ta vizitojë fshatin Stajkovcë, ndërsa pritës i tij do të jetë kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boris Georgivski. Vizita në Stajkovcë do të zhvillohet me rastin e aksionit të ushtarëve të NATO-s, të cilët me mekanizmat e tyre ndihmuan në sanimin e dëmeve nga vërshimet në gusht të vitit 2016 në Maqedoni ku ndërruan jetë 23 persona.
Është parashikuar edhe takim i banorëve në rrugën 24 ku është zhvilluar aksioni i pjesëtarëve të NATO-s.
Pritet që sot Stoltenberg dhe kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski në qendrën përballë shkollës fillore komunale “Kirili dhe Metodi” do të takohen me qytetarët, ku edhe do të mbajnë fjalimet e tyre.
Në shenjë falënderimi për ndihmën e dhënë në kohën e vërshimeve, kryetari i Komunës së Gazibabës do t’i ndajë mirënjohje sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Më herët, në orën 9 e 40 Stoltenberg do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.
Stoltenberg sot do të mbajë edhe konferencë të përbashkët për media me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov me rastin e emërimit të një rruge në Shkup me emrin e babait të tij, Torvald Stoltenberg, i cili është shpallur si qytetar i merituar i Shkupit për shkak pjesëmarrjes së tij personale në ndihmën e madhe që Norvegjia ia ka dhënë Maqedonisë pas tërmetit katastrofal në vitin 1963.
Nga Kabineti i Shilegovit theksojnë se rruga e këmbësorëve në parkun e Qytetit mes tribunës jugore të stadionit dhe liqenit në park, do ta bartë emrin Torvald Stoltenberg, i cili ndërroi jetë me 14 korrin të këtij viti në moshën 87-vjeçare.
Sipas agjendës së publikuar në faqen zyrtare të NATO-s, Stoltenberg do të takohet në Shkup me presidentin Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev, zv.kryeministren dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Ndryshe, të premten për vizitë zyrtare në Shkup do të vijë kancelari austriak, Sebastian Kurc, ndërsa një ditë më pas, në Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë, në Shkup për vizitë zyrtare do të vijë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Të gjitha këto vizita bëhen nën kontekstin e referendumit të ardhshëm në vendin fqinj, që do të zhvillohet më 30 shtator, në të cilin do të vendoset miratimi me votë popullore ose jo i marrëveshjes për emrin me Greqinë.

