Teatri shqiptar ka mungesë hapësirash, sepse me vite të tëra ndërtimi i objektit po zvarritet dhe nuk po kryhet. Sipas aktorëve teatri po kalon një fazë të jashtëzakonshme dhe sipas kushteve që i ofron ata vlerësojnë se publiku është i mjaftueshëm. Aktorët shprehen optimist se atëherë kur do të dalin në objektin e ri numri i shikuesve do të ritet. Shqetësues është fakti që shfaqje teatrore për fëmijët mungojnë, sipas tyre kjo vjen si mungesë e hapësirave, shkruan Almakos.
Sipas Aktorit Ylber Murtezi CV i teatrit shqiptar, duhet të ndahet në dy faza: Faza e suksesit mbarë shqiptar dhe faza e dështimit.
“Faza e suksesit ku edhe arriti në piedestalin më të lartë botëror është e viteve 90-ta ,kur teatri ynë garonte me teatrot me renome botërore. Mjafton pak të gjurmohet në arkivin tonë dhe gjithçka flet. Faza e dytë e dështimit është e viteve 2000 e këtej, ku po ky institucion nga një teatër Nacional është shndërruar në teatër lokal, apo rajonal ku ambiciet janë shumë të vogla”, tha Murtezi.
Ai thotë se fajin nuk do t’a kishte adresuar tek udhëheqësit e institucionit, sepse askush s’do ja mendonte këtë të keqe teatrit amë.
“Faji është diku pak më thellë, pikërisht tek ata që ende nuk e kanë nuhatur dhe shijuar teatrin, dhe nuk janë të vetëdijshëm s’e çfarë efekti pozitiv sjell kultura si ambasador i një shteti. Ata që në mënyrë të drejtpërdrejtë e devijuan publikun tonë dhe e shkatërruan teatrin janë pikërisht politikanët” , shtoi ai.
Ai thotë se pasojat e mos ndërtimit me kohë te objektit të teatrit I cili po zvarritet vite me radhë, do ti ndjejmë në 20 vitet e ardhshme.
Sipas Murtezit prindërit janë gjithmonë në kërkim të shfaqjeve për fëmijët e tyre por fatkeqësisht nga mungesa e objektit ky shërbim nuk mund tu ofrohet të njëjtëve, të paktën as një herë në vit.
“Një gjë nuk duhet ta harrojmë ne si institucion dhe si aktorë, se fëmijët duhet që të parapërgatitur që në moshën e tyre të hershme , që të mendojmë që në të ardhmen të kemi ose jo publik të mirëfilltë”, deklaroi Murtezi për Almakos.
Nga ana tjetër, aktori Luran Ahmeti thotë se për momentin teatri shqiptar është në një periudhë të jashtëzakonshme.
“Siç e dimë teatri po rindërtohet, kurse ne po luajmë në skena tjera. Duke qenë në këto kushte mendoj se kemi mjaftueshëm publik. Besoj se numri do te rritet në të ardhmen”, tha për Almakos Ahmeti.
Mevludin Imeri
Almakos.com