Çështja e koncesionit të Sterilizimit ka përfunduar në Gjykatën e Posaçme dhe ditën e djeshme ka nisur seanca paraprake ku për 8 orë me radhë ish -kreu i Ministrisë së Shëndetësisë është përballur me trupën gjykuese.
Seanca është shtyrë, pasi do të priten dëshmitë e bashkë të akuzuarve të Ilir Beqjas, që janë objekt i kësaj dosjeje të dëshmojnë që GJKKO të vendosë për nisjen e gjykimit. Sipas të dhënave bëhet me dije se Beqaj bashkë me mbrojtësin e tij ligjor i kërkuan gjykatës pushimin e çështjes duke pretenduar se nuk është i përfshirë në akuzën që u konsiderua si një prej skandaleve më të mëdha të ndodhura në sistemin shëndetësor.
Kështu u mësua se ka përfunduar pas 8 orësh seanca për “Sterilizimin” në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion. Ish-ministri ka qenë i shoqëruar në gjykatë për të gjithë kohën e qëndrimit nga mbrojtësi i tij ligjor, ndërsa Beqja është në burg për një tjetër dosje dhe akuzë.
Në gjykatë të dy ata kërkuan nga togat e zeza pushimin e çështjes, ose në alternativë kthimin e dosjes për hetime të tjera në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion. Gjykata caktoi seancën e radhës në datë 12 dhjetor, ku do të vijojë deklarimet e tij Klodjan Rrjepaj, si dhe mbrojtësi ligjor.
Ish-ministri Beqaj është arrestuar për dosjen e fondeve të SASPAC me urdhër të SPAK-ut në muajin korrik, kur dhe GJKKO e la në burg, kurse për çështjen e sterilizimit po ndiqet në gjendje të lirë. Në këtë dosje ka 8 persona nën akuzë, mes tyre edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, teksa në muajin mars të këtij viti SPAK e dërgoi dosjen e “sterilizimit” për gjykim.
“DOSJA E STERILIZIMIT”
SPAK bëri me dije se “Më datë 20 nëntor 2021 nga kërkimet e kryera në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rezulton se nga postimi i datës 27 nëntor 2013 me titull ‘Thuaji Po Shqipërisë’, vërehet një album me fotografi të aktivitetit sipërcituar. Në këto fotografi bie në sy se në disa prej tyre është fokusuar shtetasi Ilir Rrapaj, i cili ndodhet në praninë edhe të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, si dhe zvmministrit Klodian Rjepaj”, – thuhet në dosjen hetimore. Do të ishte pikërisht Ilir Rrapaj, njeriu që deri në këtë moment qëndronte në krah të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe numrit dy të dikasterit, Klodian Rjepaj, që pas aktivitetit ‘Thuaj Po Shqipërisë’, do të ishte në vitin 2015, fitues i koncesionit 100 milionë euro të Sterilizimit nëpërmjet kompanisë ‘SaniService’. Disi e habitshme po të mendosh kapitalin dhe sipërmarrjen që Ilir Rrapaj kishte në Itali, koncesion që pas kallëzimit të Nismës ‘Thurje’ në dhjetor të vitit 2019, përfundoi në SPAK. Por prania e biznesmenit Ilir Rrapaj në krah të dy drejtuesve të lartë të Shëndetësisë në tubimin mjekësor “Thuaj Po Shqipërisë”, nuk do të ishte e para, por as edhe e vetmja në vazhdim. Këtë herë ai do të shfaqej në praninë e tyre, vetëm dy javë më pas, në një pritje që Universiteti i Peruxhias, kishte organizuar për ministrin Beqaj.
“Më datë 18 dhjetor 2013, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe zv/ministri Klodian Rjepaj, janë takuar me drejtues akademikë të Universitetit të Peruxhias. Koordinatorë shkencorë për dy institucionet janë caktuar Ilir Beqaj dhe Prof. Gianni Bidini. Gjatë një kontrolli të kryer në faqen e ‘facebook’ të Ministrisë së Shëndetësisë vërehet postimi i një albumi fotografik me të njëjtin titull dhe në të njëjtën datë. Në këto fotografi vërehet shtetasi Ilir Rrapaj në krah të zv.ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në anën e delegacionit të Ministrisë së Shëndetësisë ku ndodhet dhe ministri Ilir Beqaj”,-thuhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.
HETIMET
Kjo foto duket se shërbeu për SPAK edhe si një indicie për të ndjekur të gjithë linjën e afeksionit që lidhi më pas ministrin e Shëndetësisë dhe zëvendësin e tij me biznesmenin që në vitin 2015 do të fitonte koncesionin shumëmiliardësh të ‘Sterilizimit’. Pikërisht në këtë foto, në sallë ndodhet i ulur edhe një tjetër personazh, i cili do të rezultojë nga hulumtimet e SPAK, se është një tjetër aktor i rëndësishëm i kompanisë ‘SaniService’, kompania, që siç thamë në vitin 2015 do të fitonte koncesionin e sterilizimit. Ky person del të jetë Umbro Staccini (Umbro Staçini), njeriu që siç shikohet edhe në këtë foto të siguruar nga emisioni “Në Shënjestër” në vitin 2018, i jepet nga Departamenti i Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë, certifikata e mirënjohjes, për kontributin e çmuar që sipas këtij Fakulteti ai ka dhënë në dhurimin dhe sigurimin e pajisjeve kirurgjikale në Shërbimet Universitare të Kirurgjisë. “Në njërën nga fotografitë në dukje të një salle me karrige ku ndodhen të ulur ministri Ilir Beqaj, zv/ministri Klodian Rjepaj, shtetasi Ilir Rrapaj, vërehet dhe një person tjetër, në dukje si shtetasi Umbro Staccini. Këta janë aktorët me të rëndësishëm të koncensionarit ‘SaniService’. Gjithashtu, vërehet në dukje edhe Prof. Gianni Bidini”,-thuhet më tej në dosje.
Umbro Staccini, duket se ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në takimet që më pas Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, do të zhvillojë në Umbria të Italisë me drejtues të rëndësishëm të këtij rajoni. Siç ishte edhe pritja që drejtuesja e këtij rajoni, i bëri ministrit Beqaj, në fund të vitit 2014, ku edhe në këtë takim, sipas fotove të verifikuara nga SPAK, nuk mungon biznesmeni Ilir Rrapaj që duket se ka shërbyer si një lloj xholi midis drejtuesve të lartë shqiptarë të shëndetësisë dhe Umbro Staccinit, që nga ana e tij ka shfrytëzuar lidhjet me politikën vendase, me qëllim për të konkretizuar marrëveshje të rëndësishme në fushën shëndetësore midis Shqipërisë dhe Italisë. “Me shkresën Nr. 2202 Prot., datë 2 Prill 2014 të Ministrit të Shëndetësisë llir Beqaj, drejtuar Shefave të Shërbimit të Kirurgjisë, u kërkohet atyre takim në Ministrinë e Shëndetësisë më datë 4 prill 2014 ora 16:00, për strategjinë e Sistemit Shëndetësor, ku në bashkëpunim me Universitetin e Peruxhias Itali, organizojnë një takim në lidhje me mundësinë e ofrimit të shërbimit të sterilizimit të instrumenteve mjekësore për sallat e operacionit”, thotë dosja hetimore./Gazeta Panorama