Enti Shtetëror i Statistikës ka publikuar treguesit më të fundit për vitin 2024, të cilët zbulojnë se shkalla e varfërisë në Maqedoni është 21,9 për qind.
Kjo do të thotë se më shumë se një e pesta e popullsisë jeton me të ardhura nën pragun e përcaktuar të varfërisë, i cili është vendosur në 60 për qind të të ardhurave mediane ekuivalente në shtet. Sipas këtyre të dhënave, pragu i varfërisë për një ekonomi shtëpiake njëanëtarëshe është 178.286 denarë në vit, ndërsa për një familje katëranëtarëshe, të përbërë nga dy të rritur dhe dy fëmijë nën 14 vjeç, ky prag shkon në 374.400 denarë në vit. Një tregues shqetësues është se, nëse nga të ardhurat përjashtohen transfertat sociale dhe pensionet, shkalla e varfërisë në vend do të rritej në 39,4 për qind.
Gjendja shfaqet veçanërisht kritike te familjet me shumë anëtarë dhe prindërit e vetmuar. Për ekonomitë shtëpiake me dy të rritur dhe tre ose më shumë fëmijë, shkalla e varfërisë është 54,8 për qind, ndërsa te prindërit e vetmuar kjo shifër arrin në 45,8 për qind. Sa i përket moshës, fëmijët dhe të rinjtë deri në 17 vjeç janë grupi më i cenueshëm me një shkallë varfërie prej 29,5 për qind, ndërsa te popullsia mbi 65 vjeç, kjo shifër është 20,1 për qind.
Analiza e aktivitetit ekonomik tregon se të papunët janë më të ekspozuar ndaj varfërisë me një shkallë prej 45,7 për qind. Për krahasim, te të punësuarit kjo shkallë është shumë më e ulët, përkatësisht 7,9 për qind, ndërsa te pensionistët varfëria prek 12 për qind të kësaj kategorie. Përsa i përket pabarazisë në shpërndarjen e pasurisë, Koeficienti i Ginit është 29,2 për qind. Përfundimisht, të dhënat tregojnë një pabarazi të theksuar ekonomike, ku 20 për qind e qytetarëve më të pasur gëzojnë të ardhura 5,2 herë më të larta se 20 për qind e popullsisë më të varfër.


