Ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për mbrojtje janë në procedurë parlamentare, por miratimi i tij kërkon dy të tretat e votave. Dy partitë më të mëdha politike maqedonase kanë qëndrime të kundërta lidhur me ndryshimet e propozuara. Nga ana tjetër spektri politik shqiptarë është pro ndryshimeve ligjore me qëllim që të harmonizohen veprimet Armatës me ato të NATO-s
Dy të tretat e votave të deputetëve janë të nevojshme që të votohen ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për mbrojtje, me të cilat rregullohen detyrat të cilat shteti i merr dhe duhet ti përmbush si anëtare e NATO-s, gjegjësisht duhet të transformohet Armata nga sistem individual sistem kolektiv mbrojtës. Me këto ndryshime ligjore rregullohen edhe procedurat për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse të NATO-s etj. Ndryshimi më i madh në Ligj është se vendimin për pjesëmarrjen e Armatës në operacionet e NATO-s e merr Qeveria, ndërsa çdo vit i raporton Parlamentit për numrin e pjesëmarrjeve të Armatës në misionet e NATO-s. Ndryshimet po ashtu parashohin që në të ardhmen në misionet e NATO-s të mund të shkojnë të gjithë punonjësit e Armatës, e jo siç ka qenë deri më tani vetëm pjesëtarët e uniformuar.
Nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) për këto ndryshime presin mbështetjen e të gjitha partive politike parlamentare. “Të gjitha partitë politike të tregojnë se janë për anëtarësim në NATO, duke mbështetur ndryshimet e propozuara në Ligj. Është papërgjegjësi që në hapin e fundit para anëtarësimit në NATO të ndiqen politika ditore partiake”, thonë nga LSDM-ja. Por, nga VMRO-DPMNE-ja opozitare theksojnë se në Ligj janë future edhe ndryshime të cilat fare nuk kanë të bëjnë me standardet e NATO-s. “Problematike është riemërimi i Armatës në Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në Ligj janë shtuar norma të cilat nuk kanë lidhje me standardet e NATO-s. Kemi edhe një sërë vërejtjesh tjera por të gjitha do të ti themi në seancë plenare”, thonë për KOHA nga VMRO-DPMNE-ja, duke shtuar se nuk përjashtojnë mundësinë e dorëzimit të amendamenteve për këto ndryshime të propozuara Ligjore.
Nga ana tjetër, partitë politike parlamentare shqiptare parimisht janë pro ndryshimeve të propozuara, dhe se kur të jetë Ligji në Parlament, thonë se do e mbështesin që të arrihet numri i votave të deputetëve prej dy të tretave. “Synimi i partisë tonë nga themelimi ka qenë anëtarësimi i vendit në NATO. Do të mbështesim të gjitha ndryshimet që kanë të bëjnë me integrimin e vendit, me theks anëtarësimin në NATO. Sidomos tani kur jemi me një këmbë vetëm se brenda tavolinës së aleatëve të NATO-s”, thonë për KOHA nga BDI. Edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA mbështesin çdo ndryshim që nuk e ngadalëson procesin e inkuadrimit të vendit në NATO. “Qëndrimin final zyrtar ende nuk e kemi ndërtuar. Ne kemi mbështetur dhe do të mbështesim të gjitha ndryshimet që nuk kanë implikim të brendshëm ndër-etnik. Ndërkohë jemi duke i shqyrtuar ndryshimet e propozuara dhe para votimit do të dalim me qëndrim”, deklaroi për KOHA, Syrija Rashidi, deputet i ASH-së. Ndërsa, deputeti Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA thotë se partia e tyre parimisht ka përkrahur të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me euro-integrimet. “Gjithmonë mund të ketë vërejtje, por ne kemi mbështetur dhe do të mbështesim të gjitha proceset integrues, me theks të veçantë proceset e anëtarësimit të vendit në NATO”, tha për KOHA, Zendeli. Ndryshe, propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për mbrojtje paraprakisht ka marr dritë jeshile në Komisionin për mbrojtje dhe siguri, por pa pjesëmarrjen e deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Tetë anëtarë ishin “Për”, ndërkohë që kishte edhe deputet që ishin kundër dhe të përmbajtur. Deputetët e VMRO-DPMNE-së e lëshuan mbledhjen e Komisionit që në fillim të mbledhjes./Koha.mk