Iftari i organizuar në shkollën fillore ‘’Kërste Petkov Misirkov’’ në Radovish ditëve të fundit ka nxitur reagime të shumta në opinion. Jo vetëm kaq, Inspektoriati i Arsimit Shtetëror paralajmëroi gjobë në të holla për drejtoreshën e shkollës, kurse kryetari i Komunës, do ta suspendoj nga puna organizatorin e iftarit.
Por, e njejta gjë nuk ka ndodhur me këtë shkollë kur është lëshuar në përdorim nën rituale të tjera fetare. Pikërisht objekti i shkollës “Kërste Petkov Misirkov” në Radovish, ku para disa ditësh u organizua mbrëmja e iftarit dhe u thirr ezani, në vitin 2008 me akt të shenjtërimit sipas ritualeve të fesë ortodokse, dhe në prani të një numri të madh klerikësh është lëshuar në përdorim.
Nga Ministria e Arsimit nuk japin shpjegim, se pse masa të njejta nuk janë ndërmarrë edhe në atë kohë për rastin konkret me shenjtërimin e objektit të shkollës. Ndryshe Ministri i ri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, pa komentuar më gjërsisht, ka thënë se rastin do ta kryejnë dispozitat Ligjore.
“Dispozitat ligjore, zgjidhjet ligjore në çdo hallkë dhe në çdo sferë të sistemit arsimor janë të qarta, të sakta dhe sigurisht se institucionet e sistemit do ta kryejnë detyrën e tyre”, tha Ademi.
Myftiu i Bashkësis Fetare Islame në Shtip, Nasir Rexhepi, thotë se kanë qenë të njoftuar për organizimin e iftarit, kurse fëmijët kanë qenë të pranishëm me leje të prindëve. Ai i shqetësuar thotë se rastit i është dhënë dimesion tjetër.
“Bisedova edhe me kreun e BFI-së. Biseduam edhe me disa autoritete që i njohim, ua transmetuam rastin. Theksoj se ky iftar që është organizuar në kuadër të kushteve të Maqedonisë është diçka që është shumë normale, diçka e rregullt. Por, për fat të keq disa persona me qëllim të keq, këtë e sollën në nivele shumë të ndryshme. Po ushtrohet presion psikologjik mbi fëmijët dhe mësimdhënësit”, thotë myftiu Rexhepi në pronocim për Anadolu Agency.
Por, rregullat ndryshojnë kur bëhet fjalë për krerët e lartë shtetëror. Në iftarin e organizuar nga Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në klubin e deputetëve, rituali i hapjes së iftarit u bë me thirrje të ezanit.
Ndërkohë, edhe pse çështja e dënimit të shkollës për organizimin e iftarit në Radovish, u shqyrtua gjatë ditëve të fundit kur ministria udhëhiqej nga LSDM, nga ana tjetër kryetari i partisë partner në qeverinë e LSDM-së, nga Lëvizja e Turqve, Enes Ibraim, përmes një postimi në rrjetin social në fejsbuk ka pyetur se: ‘’Kush do ta dënoj presidentin Ivanov?’
“Derisa, tashmë drejtoresha e shkollës fillore në Radovish është dënuar, shtrohet pyetja se kush do ta dënojë, Gjorgje Ivanovin, i cili realizoi ceremoni fetare në vilë? Ajo që ndodhi në Radovish ndodhi dhe në vilën e Ivanovit. Deputetët e DPMNE nuk duhet të ngrejnë tensione për mbrëmje të iftarit. Por ligji duhet të vlej njejtë për të gjithë”, shkruan Ibraim.
Arbnora Memeti
Almakos