Komisioni për matjen e dënimeve ekziston vetëm si komision në letër. Rolin e këtij organi Gjykatat nuk e njohin duke neglizhuar vërejtjet lidhur me dënimet e shqiptuara. Për dy vite prej kur është formuar ky komision, nuk ka matur asnjë vendim gjyqësor i cili ka pasur ndikim në opinion. Ligji ka hyrë në fuqi më 8 korrik 2015, ndërsa anëtarët e komisionit hedhin dyshimet se gjykatat veprojnë në mënyrë selektive lidhur me aktgjykimet të cilat ia dorëzojnë komisionit. Por, kryetari i këtij komisionit Lubço Naumovski vlerëson se ky organ nuk bën krahasimin si për shembull mes dënimeve me disa vite burg ndaj protestuesve për rastin “Monstra” dhe dënimeve me kusht të protestuesve të 27 prillit në Kuvend, por bën thjeshtë matjen e dënimeve gjyqësore.
Vendimet janë në rregull. Gjykata Themelore e Shkupit punon në bazë të kornizave ligjore. Ne nuk bëjmë dallime mes vendimeve gjyqësore, por verifikimin e vendimit. Për shembull, Gjykata Themelore e Shkupit, në 100 vendime gjyqësore, 90 i ka sjell në bazë të kornizave ligjore ndërsa 10 nuk i ka sjell për arsye të ndryshme- deklaroi Lubço Naumovski, Kryetar i Komisionit për Matjen e Dënimeve.
Kodi Penal i Maqedonisë ndikon negativisht në rolin e Komisionit, pasi që i njëjti përfshinë dispozita të gjëra për dënimet me kusht. Profesoresha Arta Bilalli e cila njëkohësisht është anëtare e këtij komisioni konsideron se puna e Komisionit për matjen e dënimeve nga gjykatësit e lëndëve shihet si ndërhyrje në punën tyre.
Edhe për kundër ekzistimit të këtij Komisioni, përsëri çështja mbetet në bindjen e brendshme të Gjykatave. Gjykatësit në atë drejtim janë shumë të mbyllur dhe çdo tendencë për të ndërhyrë në aktgjykime e shohin si ndërhyrje në punën e tyre. Përkundër asaj se paraqitja e këtij komisioni erdhi si rezultat i dënimeve të ndryshme për raste të njëjta, përsëri nga gjykatat shihet një rezistencë e tyre në raport me këtë komision– tha Arta Bilalli, Anëtare e Komisionit për Matjen e dënimeve.
Ligji për caktimin e llojit dhe matjen e lartësisë së dënimit në mënyrë të qartë përcakton përkufizimet dhe kompetencat e komisionit.
Ligji Për Caktimin E Llojit Dhe Matjen E Lartësisë Së Dënimit
Neni 2 “Qëllimi i ligjit është barazimi i politikës ndëshkuese gjatë shqiptimit të dënimeve nga gjykatat në Maqedoni nëpërmjet përcaktimit të kritereve objektive për përcaktimin e llojit dhe matjen e lartësisë së dënimit” .
Komisioni për matjen e dënimeve, konstatimet i dërgon si raporte në Ministrinë e Drejtësisë, në Kuvend dhe Qeveri. Si organ funksionon në kuadër të ministrisë së Drejtësisë, ndërsa anëtarët zgjidhen nga disa institucionet: dy nga Këshilli i Prokurorëve Publik, dy nga Këshilli Gjyqësor, dy profesor njëri me propozim të Qeverisë dhe njëri me propozim të ministrisë së Drejtësisë si dhe një anëtarë nga Oda e Avokatëve të Maqedonisë. Anëtarët votohen në Kuvend. Meqenëse ligji ka hyrë në fuqi në vitin 2015, nuk ka kompetenca të shqyrtojë aktgjykimet e rasteve si “Monstra” dhe “Sopoti”.
Adrian Kerimi

