VMRO DPMNE-ja ma akuza të reja në adresë të ministrit të shëndetësisë Filipçe, për ndërtimin e Spitalit Klinik të Shtipit. Opozitarja tha se për këtë projekt janë ndarë 7 milion euro shtesë.
Kjo kosto sipas partisë opozitare të VMRO DPMNE-së është forma e re e zhvatjes së parasë publike nga ana e pushtetit, të cilën e quajtën rasti “Reket 3”, përcjell Gazeta Express nga Alsat.
“Spital në Shtip nuk ka, kurse në vend që të ndëshkohet kontraktuesi pas dy vjet vonimi të projektit, Venko Filipçe dhe Zoran Zaev vendosën t’i japin atyre 7 milion euro të tjera! Filipçe dhe Zaev janë emra që përsëriten në “Reket 1”, “Reket 2” dhe në “Reket 3”! Prokuroria duhet ta hetojë seriozisht këtë rast! Pse nuk u aktivizua garancia bankare për kontraktuesin pas vonesës me ndërtimin e spitalit në Shtip? Pse për herë të dytë zgjatet afati pa dënim për kontraktuesin e spitalit të Shtipit?”-tha Naum Stoilkovski, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së.
Nga LSDM akuzat e VMRO-së quajnë lajme të rreme. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se projekti i hartuar nga ana e VMRO-së nuk ishte i kompletuar. Ministri Venko Filipçe tha se në kohën kur u emërua në krye të Shëndetësisë dy vjet më parë, gjeti një projekt jo të plotë që i mungonte një fazë e tërë e makinerive elektrike në Spitalin e Shtipit. Reagimi i tij erdhi edhe përmes një postimi në Facebook.
7 milion euro shtesë që opozita sot, sikurse disa herë tjera po përpiqet të krijojë një proces mediatik, dhe që ato mjete janë planifikuar për ndërtimin e Spitalit Klinik të Shtipit nuk e kanë rritur koston, por kanë qenë të domosdoshme për zbatimin e një faze të energjisë elektrike. VMRO-DPMNE fillon një projekt pa njërën nga fazat thelbësore të ndonjë objekti, pa të cilin spitali nuk mund të funksiononte! Duke përfituar nga paaftësia dhe lëshimet e tyre në të kaluarën, tani ata dëshirojnë të mashtrojnë gjithë publikun!”-pohoi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Nga Ministria e Shëndetësisë sqaruan se nuk kanë lidhur asnjë tender me firmën nënkontraktuese “Beton-Shtip”, prandaj garancia bankare është në emër të kompanisë kontraktuese të këtij objekti “Intrakat”.



