23:10 | 3 Gusht 2024
Çdo vit në gusht, qielli i natës ndriçohet nga meteorët, teksa planeti Tokë futet nëpër rrjedhën e mbetjeve kozmike të kometës Swift-Tuttle.
Për shkak të madhësisë së Swift-Tuttle dhe faktit se kometa ka qëndruar në orbitën e saj aktuale prej mijëra viteve, ajo ka prodhuar një rrymë mbresëlënëse mbetjesh.
Çdo vit, Toka kalon përmes rrymës së saj të mbetjeve duke krijuar kështu atë që njihet si Shiu i Meteorëve Perseid, dhe shfaqja që ai ofron kur arrin pikun, është spektakolare.
Ky shi meteorësh është cilësuar si “show vjetor” më i madh i Tokës pasi në periudhën e pikut, qielli i natës ndriçohet me rreth 100 meteorë për orë.
Edhe pse me raste Hëna mund të bëhet pengesë, natën e 11 gushtit dhe mëngjesin e datës 12, gjysmëhëna do të perëndojë pak pas mesnate duke i hapur kështu rrugën shfaqjes spektakolare në qiell. Nëse qielli do të jetë i pastër, nuk do të donit t’i humbnit Perseidët e 2024-ës.
Trupi mëmë, kometa Swift-Tuttle, ndodhet në orbitën e saj aktuale prej të paktën 2 000 vjetësh, pasi shiu i meteorëve Perseid është vëzhguar për herë të parë në vitin 69, Para Krishtit.
Edhe pse vetë Swift-Tuttle nuk u zbulua deri në vitin 1862, dhe edhe pse bërthama e kometës është aktualisht rreth 42 herë larg nga distanca Tokë-Diell, më larg se Neptuni, vetë kometa është kaq masive dhe ka qenë në orbitën e Diellit për aq gjatë sa tërë orbita e tij është e populluar dendur nga mbetjet.
Sa herë që Toka kalon nëpër të, rezultati është shiu i meteorëve Perseid./a2cnn