Në rastin “Tanku” dyshohen dy persona për keqpërdorimin e pozitës zyrtare në vitin 2012, për shkak se kanë kryer procedurat e blerjes së makinës Mercedes për ish kryeministrin Nikolla Gruevski, edhe atë duke favorizuar një operator të caktuar ekonomik. I dyshuari i parë siç mund të dëgjohet nga bombat e opozitës, është ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska dhe personi përgjegjës për shpalljen e tenderëve në MPB në vitin 2012.
“Në rastin konkret ekziston dyshimi se me qëllim plotësimit të dëshirës së kryeministrit të atëhershëm për furnizim me makinë speciale, e dyshuara e parë, ka inkurajuar të dyshuarin e dytë që të shfrytëzoj detyrën dhe autorizimet e tij dhe gjatë furnizimeve publike, në mënyrë joligjore të favorizoj operator të caktuar ekonomik dhe të blihet një makinë e atij llojit”, thuhet në komunikatën e PSP-së.
Ish ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska ka urdhëruar personin e autorizuar për shpalljen e tenderëve që të përzgjedh ofertën të cilën ajo e ka paracaktuar me Gruevskin.
“Ekziston dyshimi se i dyshuari i dytë në procedurën për furnizim publik, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se ka privilegjuar në mënyrë joligjore operator të caktuar ekonomik, megjithatë, ka sjellë vendim për përzgjedhje të ofertës më të mirë dhe ka nënshkruar marrëveshje për furnizim publik në vlerë prej 29.852.542 denarë dhe TVSH në vlerë prej 5.373.458 denarë ose rreth 572.780 euro”, thuhet më tej në komunikatë.
Kështu buxhetit të shtetit i janë shkaktuar rreth 600 mijë euro dëm.
Ky rast është nxjerrë nga bomba 31 e opozitës ku dëgjohet ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska teksa thurr plan me ish kryeministrin Nikolla Gruevski për ta blerë dhe sjellë makinën në Maqedoni në emër të Policisë. Siç dëgjohet në biseda, makina është luks i vërtetë dhe një tip i tillë nuk ishte shitur më herët në Evropën Juglindore. Makinën e komentojnë ish shefi i DSK-së Sasho Mijallkov dhe Gordana Jankullovska.
Ferikan Iljazi /SHENJA/