PPS-ja me mbi 300 biseda të përgjuara do ta vërtetojë korrupsionin në kreun e mëparshëm shtetëror në lidhje me ndërtimin e autostradave Kërçovë – Ohër dhe Miladinovcë – Shtip. Në këtë lëndë, janë të akuzuar ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministrat në qeverinë e tij, Mile Janakieski dhe Vlladimir Peshevski dhe ish drejtori i Agjencisë së rrugëve shtetërore, Lupço Gorgievski. Lënda i është dhënë gjykatësit Goran Boshevski, i cili sot në vend që ta dëgjojë fjalimin hyrës të të dyja palëve, ai i dëgjonte propozimet e palës mbrojtëse për ndarjen e dy ekspertizave nga lista e provave. Avokatët pohojnë se ekspertizat janë bërë nga ana e firmës për ekspertizë, e cila është në pronësi të ish-funksionarit të lartë të LSDM-së, ndërsa dy ekspertët kanë punuar me licenca, afati i të cilave u është skaduar. Ata kërkojnë t’i marrin audio incizimet në dorë , në vend që t’i dëgjojnë në hapësirat e PPS-së. Në lidhje me këto vërejte, prokurorja Lile Stefanova tha:
“Tani jemi në një fazë të procedurës kur nuk mundemi të kthehemi prapa. Këshilli për vlerësimin e aktit gjyqësor e pranoi akuzën në tërësi. Ne jemi të vetëdijshëm për vëllimin e provave. Shumë herë i bëmë thirrje palës mbrojtëse që të vijë dhe t’i dëgjojë përsëri materialet”, nga PPS.
Seanca e re për këtë rast është caktuar për në mesin e muajit shkurt, kur është e caktuar edhe seanca për rastin Transportuesi. Gjykatësja Dobrilla Kacarska, së cilës, sipas orarit të ri të Gjykatës Penale, i është dhënë kjo lëndë, nuk mundej ta fillonte seancën sepse lënda, për shkak të ankesës së parashtruar, ngeli në Gjykatën e Apelit. I akuzuari i parë në këtë rast është ish -kryetari i Manastirit, Vlladimir Talevski. Edhe sot, ai pohonte se kjo akuzë është përndjekje politike ndaj tij.
“Kjo është përndjekje politike, kjo nuk ka lidhje me situatën reale. Kjo nuk ka lidhje me atë për të cilën akuzohemi. Ne punojmë sipas rregullave, nuk kemi bërë asnjë krim dhe jemi të bindur se do ta vërtetojmë këtë gjë”, tha Talevski.
Përveç tij, për këtë rast janë të akuzuar edhe persona të tjerë të cilët kanë marrë pjesë në organizimin e transportit të nxënësve të Manastirit, me çka, sipas PPS-së është dëmtuar buxheti shtetëror për 360 mijë eurove. TV21