Kryeministri Oliver Spasovski, zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov dërguan urim me rastin e 4 prillit, Ditës së NATO-s.
Siç njofton shërbimi qeveritar për informim, Spasovski në porosinë e tij potencon se pas disa dekadash ëndërrim erdhi dita që edhe ne ta shënojmë si anëtare fuqiplotë e NATO-s.
“Sot, mundemi ta urojmë njëri-tjetrit për arritjen e qëllimit tonë strategjik dhe përmbushjen e përpjekjeve të të gjithë brezave të kaluar. Falë vendosmërisë së juve, qytetarëve, angazhimit të kësaj Qeverie, kontestet e zgjidhura me fqinjët dhe reformat e vështira që kemi zbatuar, sot jemi pjesë e aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake në historinë e njerëzimit. Me ne, NATO numëron 30 shtete. Jemi aleatë me më të fuqishmit në botë, qëndrojmë krah për krah, të përkushtuar ndaj sistemit të përbashkët të sigurisë kolektive”, thotë kryeministri Spasovski.
Ai nënvizon se tashmë jemi duke parë përfitimet e anëtarësimit tonë në NATO. Jemi më të sigurt, më stabil dhe NATO na ndihmon të luftojmë koronavirusin, duke shtuar se kur gjërat të kthehen në normalitet, do të vijnë përfitime më të mëdha ekonomike.
“Jini të sigurt sepse vendi është i sigurt. Ne jemi NATO! Gëzuar Ditën e NATO-s”, thuhet në urimin e kryeministrit Spasovskit.
Zëvendëskryeministri dhe ministrja e Mbrojtjes Shekerinska nënvizon se gjatë viteve të fundit, secilin vit në këtë ditë e kemi ngritur flamurin e NATO-s si shenjë e dëshirave tona.
“Sot kjo është shenjë e suksesit tonë – flamuri i vendit tonë po valon me flamujt e 29 vendeve të tjera, si anëtare e Aleancës më të fuqishme. Arritëm sukses. Pas 30 vjetësh, negociata, premtime dhe shpresa. Në këtë rrugë, në këtë sukses, nuk ishim vetëm. Kemi ecur bashkërisht me shumicën e qytetarëve tanë, të cilët nuk hoqën dorë dhe nuk u dorëzuan”, thotë në porosi Shekerinska.
Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, me rastin e ditëlindjes të 71-të të Aleancës, në urim thekson se Dita e NATO-s, nga 27 marsi i këtij viti, është edhe dita jonë dhe e festojmë së bashku me 29 aleatët tonë.
“Në kushte kur jo të gjitha çështjet e Ballkanit janë mbyllur, për shtetin tonë dhe për kufijtë tanë tashmë ska asnjë çështje! Populli maqedonas dhe bashkëqytetarët tonë shqiptarë, turq, serb, vlleh, boshnjak dhe gjithë të tjerët: Urime shtëpinë tonë të përbashkët, që tani është shumë më e sigurt. Të liruar nga ky shqetësim, e jona është ta rregullojmë dhe ta bëjmë më të suksesshme, që të gjithë të krenohemi!, thekson në porosinë e tij ministri Dimitrov.