Në konferencën e sotme për media të ministrit të MPB, Oliver Spasovski, u prezantua puna 100 ditore e kësaj ministrie. Siç tha Spasovski, policia për 10 vjet nuk është furnizuar me uniforma, këpucë, bluze apo pantallona, njohton Almakos.
Tashmë kjo do të ndryshojë, pasi që shtatë mijë uniforma policësh janë porositur dhe blerja e të njëjtave do të mundësohet duke ulur shpenzimet e reprezentimit.
Gjithashtu, në konferencën e sotme Spasovski paralajmëroi edhe formimin e një njësie special për luftën kundër tregtisë me njerëz dhe fillimin e reformave në lidhje me ndjekjen e komunikimeve, të cilat nuk do të lejojnë keqpërdorime të mundshme nga DSK.
Spasovski u pyet nga gazetarët për konkursin e hapur për pranimin e rreth 500 policëve, ndërkohë që ka kandidatë që kanë ndjekur trajnimet dhe nuk janë pranuar. Ai tha se kandidatët që kanë ndjekur trajnimet kanë nënshkruar një dokument në të cilin thuhet që nëse bëjnë pjesë në 10 % nga numri i përgjithshëm me rezultate më minimale, nuk do të mund të punësohen.
“Në sektorin e punëve të brendshme ka mungesë të policëve. SPB Shkup mungojnë 860 policë, sektor tjetër ku mungojnë më së shumti polic është SPB Ohër, rreth 150. Këto dy të dhëna janë tregues se në periudhën e kaluar nuk është respektuar obligimi që 5 vjet të punojnë si polic, por I kanë shfrytëzuar për punësim dhe menjëherë pas kësaj janë vendosur në sektor të tjerë, andaj mund të gjeni sektor ku ka nevojë për dy inspektor, ndërsa ka 20 inspektor”- tha Spasovski.
Më tej i pari i MPB tha se konkursi do të finalizohet pas zgjedhjeve lokale , për të penguar përdorimin e punësimeve nga cilido për ndonjë qëllim dhe siç theksoi më tej MPB është e gatshme për zgjedhjet lokale.
Lidhur me atë se si do të votojë MPB dhe Qeveria e R. se Maqedonisë për pranimin e Kosovës në Interpol, Spasovski tha se bisedimet vazhdojnë dhe se sapo të merret ndonjë vendim, do të informohet opinion.
Në konferencën e sotme u tha se sa i përket arratisjes së Grujovskit dhe Boshkovskit ka fakte të reja, por të cilat nuk mund të bëhen publiket për shkak të rëndësisë së lëndës.
Ndërkohë, MPB-ja ka refuzuar kërkesën e kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, që të merr 20 truproje.
“Sipas vlerësimeve të kryera nuk ekzistojnë kërcënime të sigurisë për Gruevski dhe familjen e tij dhe për këtë arsye numri i truprojave do të mbetet aq sa I takon me ligj, gjashtë. Unë mundesha edhe menjëherë të sillja vendim , por kjo nuk do të ishte profesionale, andaj e shqyrtova kërkesën u konsultova edhe me organet përgjegjëse dhe nuk e pamë të arsyeshme rritjen e numrit të truprojave”-theksoi Spasovski.
Në korrik Gruevski kërkoi që në vend 6 truprojave të ketë 20, pasi sipas tij, ka pasur kërcënime me jetë. Jozyrtarisht, Gruevski përderisa ka ushtruar funksionin e kryeministrit, për 10 vite ka pasur gjithsej 78 truproje, ndërsa me ardhjen e Oliver Spasovskit në MPB, Gruevski ka vetëm 6 truproje, siç e parasheh ligji./Almakos.com
Evi Shkopi