Sindikata e të punësuarve në administratën gjyqësore dhe kryeministri Hristijan Mickoski, në takimin e zhvilluar në Qeveri, kanë përafruar qëndrimet lidhur me rritjen e pagave për një pjesë të administratës publike. Sipas Tërpe Deanoskit nga SPAGj, edhe pse jo plotësisht, është pranuar kërkesa e Sindikatës që të paguhen shtesat në paga për të punësuarit në administratë dhe në gjyqësor, me rritje prej 8 për qind.
“Kjo do të thotë se gjykatat dhe prokuroritë duhet të nënshkruajnë marrëveshje kolektive individuale për ta përfituar këtë të drejtë. Teksti i këtyre marrëveshjeve do të përgatitet bashkërisht nga përfaqësuesit e sindikatës dhe të Qeverisë dhe më pas do të hidhet në votim. Nëse pranohet, nuk do të ketë pengesa për nënshkrim. Në të kundërtën, punëtorët mund të kërkojnë më shumë se shuma aktuale.”, – deklaroi Tërpe Deanoski.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se palët janë shumë pranë një marrëveshjeje, e cila pritet të finalizohet të dielën. Sipas tij, nëse dakordohen përfundimisht, nga muaji prill do të nisë rritja e pagave të administratorëve me 8 për qind, ndërsa brenda dy viteve rritja totale do të arrijë 40 për qind krahasuar me pagat aktuale.
“Ofertën e kemi bërë publike dhe kemi vendosur rregullat me të cilat jemi të gatshëm ta çojmë procesin përpara. Tani mbetet që SPAGj të konsultohet me udhëheqësinë e saj dhe të na njoftojë. Nëse gjithçka është në rregull, të dielën do të finalizohet marrëveshja dhe që nga e hëna do të nisë përgatitja e marrëveshjeve individuale sindikale. Pagesa e pagave të prillit për muajin mars do të përfshijë rritjen prej 8 për qind. Me të njëjtin ritëm do të vazhdohet edhe në vitet 2027 dhe 2028, që do të thotë rritje prej 40 për qind për dy vjet.”, – deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Nga ana tjetër, lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, tha se ka zgjidhje për pagë prej 600 eurosh, që sipas tij, duhet më pak luks për paga më të larta për punëtorët.
“Sipas ligjit që kemi dorëzuar, përllogaritjet tona tregojnë se nevojiten 7.5 miliardë denarë, përkatësisht 120 milionë euro. Shpenzimet totale buxhetore për vitin 2026 janë planifikuar në nivel rekord prej 365.5 miliardë denarësh, që është niveli më i lartë historik, për partizimin e administratës, përkatësisht për punësime me kontrata në vepër të militantëve partiakë, të cilët i shohim çdo ditë nëpër ministri. Zëri i parë, kategoria 42 e buxhetit mallra dhe shërbime, ku janë planifikuar 27.5 miliardë denarë.”, – theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Ndërkohë LSM-ja vazhdon betejën për një rritje sa më të madhe të pagës minimale, përtej rritjes ligjore prej 1.600 denarësh. Javën e ardhshme, LSM-ja paralajmëron bllokim të Kuvendit, Odave Ekonomike dhe Qeverisë./MRTV 2


