Marrëveshja e arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë për kontestin e emrit pritet të nënshkruhet këtë fundjavë, megjithatë akoma nuk është zyrtarizuar data dhe vendi i ngjarjes. Sipas mediave greke, marrëveshja do të nënshkruhet më 17 qershor në Prespë në territorin e Greqisë ndërsa pas saj vijon një drekë e përbashkët në pjesën e Maqedonisë. Por, Qeveria e Maqedonisë do të informojë gjatë ditës së sotme në lidhje me detajet e nënshkrimit të marrëveshjes.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, deklaroi sot për një gazetë ruse se marrëveshja është e mirë, e baraspeshuar dhe të dyja palët janë fitimitare. Ai është shprehur optimist se qytetarët do të votojnë pozitivisht në referendum.
Nikos Kocias
“Mendoj se referendumi është një pjesë e ratifikimit të marrëveshjes në pajtueshmëri me vendimet e udhëheqësisë së Maqedonisë së Veriut. Duhet të fitohet referendumi që të ratifikohet marrëveshja. Integrimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE është zgjedhje e këtij shteti. Ne nuk do t’i pengojmë dhe do t’u ndihmojmë në rrugën e tyre evropiane. Zgjidhja e këtij kontesti i shërben interesave nacionale të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ai është kontest që ekziston formalisht 25 vite, ndërsa realisht 75 vite”.
Ndërkohë, në Greqi po mbahen protesta kundër marrëveshjes për çështjen e emrit me Maqedoninë. “Po fillojmë betejën tonë për Maqedoninë”, theksojnë organizatorët e mbledhur rreth “Komitetit për Luftën për Karakterin Grek të Maqedonisë”.Një grup i vogël qytetarësh u mblodhën para Kuvendit grek herët në mëngjes.
Në të njëjtën kohë në Greqinë veriore protestuesit kanë filluar të organizohen për të shkuar në Prespë, autobusët tashmë janë planifikuar të dërgohen nga qytetet e pjesës veriore të vendit. Protesta në Prespë është planifikuar në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes, ndërsa nën sloganin “Maqedonia do të thotë Greqi” po organizohen protesta në tre ditët e ardhshme për marrëveshjen e arritur në mes dy vendeve.
https://www.youtube.com/watch?v=flhcrY4igvc

