Sot të drejtën e votës e kanë ushtruar të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, të sëmurët dhe të pafuqishmit, si dhe personat që ndodhen në shtëpitë e të moshuarve. Sipas Listës Zgjedhore, në institucionet ndëshkuese, të drejtë vote kanë 2.162 të burgosur, më shumë në burgun e Idrizovës – 938, në burgun e Shutkës 391, në burgun e Shtipit 237, ndërsa në burgun e Prilepit 119. Në shtëpitë e tyre votojnë edhe personat që janë në arrest shtëpiak dhe që janë paraqitur për të votuar.
Kryetari i Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve Boris Kondarko në konferencë për media, njoftoi se është korrigjuar gabim shtypi në fletëvotimet në Komunën Novo Sellë dhe materiali tashmë është dërguar. Ndërsa shtoi se votimi në përgjithësi është zhvilluar pa asnjë problem dhe se materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë nga komisionet komunale zgjedhore deri te këshillat e votimit, dhe qytetarët po e realizojnë lirshëm të drejtën e tyre zgjedhore.
Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së
“Deri tani nuk kemi asnjë ankesë apo vërejtje nga asnjë komision komunal zgjedhor apo nga ndonjë vendvotim. Për momentin nuk ka të dhëna për daljen në votime, pasi votimi zgjat deri në fund të ditës. Kur të përfundojë procesi, KSHZ do të publikojë sa nga personat e regjistruar për të votuar në kushte shtëpie apo në shtëpi të të moshuarve e kanë realizuar të drejtën e votes”.
Paradite në Novo Sellë, për katër orë është shtyrë shpërndarja e materialit zgjedhor dhe votimi i personave të sëmurë dhe të pafuqishëm, pasi janë vërejtur gabime në numrat rendorë të listave të këshilltarëve.
Rezultatet e votimit të këtyre kategorive të qytetarëve, KSHZ do të publikojë nesër.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/