Në Kuvendin e Maqedonisë sot vazhdon seanca ku në rend dite është edhe pika e shkarkimit të kryeprokurorit publik Marko Zvërlevski.
Seanca për shkarkim të kryeprokurorit Marko Zvrlevski mban përsëri problemet dhe pengesat e njëjta, ndërsa pati ankesa se deputetët e VMRO-së e zvarritën këtë çështje. Ata thirren në nenin 8 të Rregullores për zgjedhje, ku sipas tyre, thuhet se emërimi dhe shkarkimi i funksionarëve nuk guxon të ndodhë në kohë kur ka zgjedhje të shpallura.
Ndryshe në Seancën e djeshme maratonike për shkarkimin e Prokurorit Publik Marko Zvërlevski mungonin 30 deputetë. Mungesa e deputetëve ishte arsyeja që deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski të kërkoj që kjo pikë të argohet nga rendi i ditës, ngase siç tha ai “edhe po të vendoset në votim nuk do të ketë deputetë për ta votuar”.
Megjithatë kryetar i Kuvendit, Talat Xhaferi nuk e pranoi këtë propozim dhe e vazhdoi debatin për shkarkimin e Zvërlevskit.
Ai tha se shumicë është e nevojshme vetëm në momentin kur duhet të votohet dhe nuk është e nevojshme kur ka diskutim dhe replika.
Propozimi për shkarkimin e Zvërlevskit është dorëzuar nga Qeveria, për shkak të kryerjes së punës në mënyrë joligjore, jo efikase dhe jo profesionale. /Almakos

