Sot pas namazit të drekës do të përcillet për në banesën e fundit kryetari i Komunës së Bogovinës Hazbi Idrizi. Familjarët kanë njoftuar se trupi i tij do të varroset në varrezat e fshatit Bogovinë. Kryetari i Komunës së Bogovinës Hazbi Idrizi ka ndërruar jetë mbrëmë pas të shtënave me armë zjarri ndaj tij, ku ka marrë 6 plumba në trup. Ngjarja ka ndodhur pas orës 10 të mëngjesit, ndërsa edhe vrasësi ka ndërruar jetë në spital, pasi kishte qëlluar vetveten pas vrasjes. Banorët e Bogovinës thonë se janë të tmerruar nga ngjarja, ndërsa shprehin ngushëllime për familjet e dy të ndjerëve.
Kryetari tashmë i ndjerë i Komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi, u lind më 21 mars, të vitit 1959 në Bogovinë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe shkollën e mesme të ekonomisë në Gostivar. Më 1985 diplomoi në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Ka punuar si kontabilist i autorizuar prej 1985 deri më 1995. Pastaj deri më vitin 2000 ka qenë kryetar i Këshillit të komunës së Bogovinës,e gjatë periudhës 1998 deri më 2000 ka qenë drejtor i Fondit për rrugë lokale në komunën e Tetovës. Prej vitit 2000 deri më 2005 ka qenë kryetar i komunës së Bogovinës, pastaj prej marsit të vitit 2005 ka qenë udhëheqës i seksionit për ZHEL në komunë, prej vitit 2007 deri 2008 drejtor i NP ,,Shari”. Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, Idrizi për herë të tretë u zgjodh kryetar i komunës së Bogovinës. /SHENJA/

