Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, do të zhvillohet sot seanca paraprake për dosjen në ngarkim të Erion Veliajt, bashkëshortes së tij dhe personave të tjerë.
Seanca pritet të fillojë në orën 09:15 ku do të vendoset nëse dosja ndaj ish-kryebashkiakut do të kalojë apo jo për gjykim.
Të enjten e 2 tetorit Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Erion Veliajt, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Megjithëse Veliaj ka kërkuar që të lihet i lirë, sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit, ai së bashku me Xoxën, kanë tentuar të ‘helmojnë’ dhe prishin provat e çështjes, duke kërcënuar dëshmitarët dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.