Ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, sot në Bruksel do ta shqyrtojnë situatën në Republikën e Maqedonisë dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe do të sjellin konkluzione, të cilat pastaj shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së do t’i miratojnë në Samitin e Këshillit Evropian këtë të enjte.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, sot pasdite do t’i informojë shefat e diplomacive të vendeve të BE-së për situatën në Ballkanin Perëndimor pas vizitës së saj në shtetet e rajonit javën e kaluar.
Këshilli i sotëm i punëve të jashtme i Bashkimit Evropian, të cilin e udhëheq Mogerini, do të fillojë me seancë të përbashkët të ministrave të mbrojtjes dhe të punëve të jashtme të vendeve anëtare për zbatimin e strategjisë globale të BE-së në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes. Këshilli pritet të sjell konkluzione për progresin e dakorduar nga ana e Këshillit Evropian më 15 dhjetor të vitit 2016, dhe konkluzionet do të jenë bazë e raportit për Samitin e Këshillit Evropian më 9 dhe 10 mars.
Këshilli i punëve të jashtme do të diskutojë edhe për migrimin si vazhdim i takimit joformal të shefave të shteteve dhe qeverive në Maltë më 3 shkurt të vitit 2017, ku u diskutua për aspektet e jashtme të emigrimit. Ndërsa në fund të ditës, Këshilli do të bisedojë për procesin paqeruajtës në Lindjen e Afërt, që të bëhet kontroll i ngjarjeve të fundit dhe kontakteve, mes të cilave edhe me administratën e re amerikane.