Sopoti, mbrojtja heq dorë nga dëshmia e Mijallkovit

Gjashtë agjentët e DSK-së Robert Ivanovski, Boban Stojanovski, Ilija Smilevski, Mile Vellkovski, Marjan Nikollovski, Mile Andonovski dëshmuan në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit për rastin e Sopotit. Me kërkesën e tyre seanca u mbajt me dyer të mbyllura për shkak të informatave të klasifikuara. Pala mbrojtëse thotë se këta dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria Speciale kanë rëndësi të madhe për vërtetimin e gjendjes faktike dhe lirimin e të dyshuarve.

Nuk kuptojmë se si ka mundësi me gjithë këto veprime që ka marrë ministria e punëve të brendshme me asnjë dëshmi konkrete relevante verbale apo materiale që nuk ka vërtetuar fajësinë e këtyre të akuzuarve rasti përsëri është vazhduar, përsëri janë bërë malltretime, keqpërdorime dhe gjykime duke dënuar persona komplet të pafajshëm – deklaroi avokati mbrojtës Vullnet Paçuku.

Pala mbrojtëse tërhoqi kërkesën për dëshmitë e ish shefit të shërbimit sekret Sasho Mijallkov dhe ish ministres së brendshme Gordana Jankullovska të cilët i kishin kërkuar në seancat e kaluara. Avokati Naser Raufi thotë se tërheqja e kësaj kërkese erdhi pasi dëshmitë e dëshmitarëve të sotëm përputhen me dëshminë e Ramadan Bajramit i cili kishte akuzuar se me dhënë ishte detyruar të fajësoj bashkëfshataret e tij për vendosjen e eksplozivit në Sopot.

Mendoj që u sqarua se ky rast ka qenë i montuar dhe me dhunë ka qenë e marrë deklarata e Ramadan Bajramit dhe nga atje edhe propozimin që të vjen si dëshmitar ish drejtori i shërbimit sekret dhe ish ministrja e punëve të brendshme ne e tërhoqëm sot si palë mbrojtëse dhe tani presim fjalën përfundimtare ta japim si mbrojtje me 19 të këtij muaji – tha avokati tjetër Naser Raufi.

Rasti “Sopoti” daton që nga viti 2003, kur dy ushtarë polakë dhe një shtetas i Maqedonisë humbën jetën, pasi që një automjet terreni i NATO-s shkeli në minë. Në këtë rast ishin dënuar 11 banorë të fshatit Sopot me mbi 136 vjet burg. Ata ngarkohen se kanë vendosur mjet shpërthyes në rrugën lokale Sushevë-Sopot.

Elmedina Aliji 

TAGS