“Sopotasit kanë mirëpritur vendimin e PSP-së e cila ka konstatuar se dëshmia e Ramadan Bajramit është dhënë me dhunë për dënimin e 11 banorëve të këtij fshati me 156 vite burg”.
Të dënuarit për “Sopotin”, thonë se Prokuroria Publike gjithmonë ka mbyllur sytë përpara fakteve.
“Ne e kemi ditur që nga fillimi se dëshmia është marrë me dhunë. Megjithatë Prokuroria e Shkupit nuk e ka marr për bazë këtë gjë”, u shpreh Samet Lutfiu, i dënuar.
“Çdoherë nëpër gjykata dhe prokurori dhe gjitha institucionet, ne kemi pasur dëshmi që dëshmia është dhënë më dhunë por kërkesat tona asnjëherë nuk janë marr parasysh”, tha Shaban Limani, i dënuar.
Ramadan Bajrami në vitin 2009 ekskluzivisht për Alsat M kishte rrëfyer edhe mënyrën e dëshmimit.
Më 23.05.2003 më kanë kidnapuar para policisë dhe më kanë dërguar diku në Strumicë dhe kanë detyruar me dhunë të bëj një gjë që nuk ishte. Ata emra as që i kisha menduar por ata kishin pasur plan-programin dhe të gjitha emrat e përgatitur vetëm se ta gjejnë një njeri që do të thoshte atë që nuk është, me dhunë pra, do të nënshkruar patjetër – pati deklaruar Ramadan Bajrami.
Sopoti ishte pjesë edhe e bombave të opozitës. Në një bisedë telefonike mes ish ministres së Brendshme Gordana Jankullovska dhe ish drejtorit të DSK-së Sasho Mijallkov konfirmohet se dëshmia e Bajramit është dhënë me dhunë.
Biseda telefonike
S.M: Tanët e kanë detyruar të flasë me dhunë.
G.J: Po po dhe në fakt nuk kishte. E din, në princip nëse merremi vesh për të mos dhënë diçka unë nuk jap kushdo që vjen, mirëpo më kujtohet se edhe në librin e ngjarjeve nuk ishte regjistruar. Me dhunë. Nuk kishte vepër. Diçka shkruante se ata janë habitur sepse njeriu nuk ka qenë aty si dëshmitar i Sopotit dhe përnjëherë është paraqitur vetë si dëshmitar.
S.M: Fakti që nuk kishte shumë dëshmi, nuk kishte.
G.J: Jo jo, ta them unë nuk kishte as dokumente as asgjë, as në libër.
S.M: Nëse lirohen, nuk e di do të tingëllojë keq. Pas 10 viteve lirim.
G.J: Tingëllon keq për neve por edhe për të gjithë gjyqësorin.
Ditë më parë Prokuroria Speciale Publike kumtoi se procedura para hetimore ka treguar se dëshmia e Ramadan Bajramit është bërë me dhunë. Madje sipas Speciales këtë e kanë dëshmuar edhe vetë shërbyesit policorë. Ndonëse kryerësit e dhunës ndaj Bajramit PSP nuk mund t’i ndjek penalisht, nga ekipi i Katica Janevës shtuan se hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të gjetjes së autorit të vërtetë të rastit. Specialja po heton këtë rast edhe pse nga Këshilli i Prokurorëve Publik nuk ka marrë dritë jeshile. Për shpërthimin e minës në veturën e forcave të NATO-së në vitin 2003 në Sopot, 11 banorë të këtij fshati u dënuan me 156 vite burg.
Adrian Kerimi

