Bullgaria e inkurajon Maqedoninë të vazhdojë në rrugën e saj evropiane dhe pretendon se nuk ka kushte shtesë nga Sofja përtej atyre të dakorduara në propozimin francez të vitit 2022. Ministri i Jashtëm bullgar Georgiev e informoi homologun e tij maqedonas Timço Mucunski për këtë qëndrim të Sofjes në një bisedë telefonike.
Një deklaratë nga Ministria e Jashtme bullgare thotë se Georgiev i shpjegoi Mucunskit se vendimi i Parlamentit bullgar konfirmon se vendi nuk ka kushte shtesë përtej elementëve të përfshirë në konsensusin evropian.
Edhe MPJ-ja e Maqedonisë njoftoi se ka pasur bisedë telefonike.
“Ministri Georgiev e informoi Ministrin Mucunski për vendimin e marrë nga Parlamenti Bullgar, i cili ka të bëjë me përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Maqedonisë.
Zëvendësministrja e Jashtme Elena Shekerletova, të mërkurën, ia dorëzoi vendimin e Asamblesë Kombëtare ambasadores maqedonase në Sofje, Agneza Rusi Popovska, dhe tha se ky akt tregon konsensusin e gjerë që ekziston në Bullgari për rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Bullgaria edhe një herë tregon se është konsistente në mbështetjen e saj për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mbetet e vendosur për zbatimin e asaj që u ra dakord midis BE-së dhe Shkupit”, tha Ministria e Jashtme bullgare në një deklaratë.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha të mërkurën se ende nuk ka konfirmim për takimin e paralajmëruar të një delegacioni maqedonas dhe bullgar në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë këtë muaj, i cili u iniciua nga Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.
Mickoski akuzoi Bullgarinë të mërkurën se “thelbi i kërkesës për ndryshime kushtetuese nuk është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë”, por përkundrazi “një përpjekje për inzhinierig, për të krijuar një komb të ri maqedonas, i cili mbështetet në rrënjët bullgare”. Mickoski akuzoi përsëri ish-ministrin e Jashtëm Bujar Osmani se “duke pranuar propozimin francez, ai ngulte drejtpërdrejt gozhda në duart dhe këmbët e identitetit maqedonas”.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.