Bullgaria është plotësisht e gatshme të nënshkruajë marrëveshje me Maqedoninë e Veriut dhe të fillojë ndërtimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar përgjatë Korridorit 8, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Grozdan Karaxhov, raporton BTA.
Deklarata është dhënë gjatë një mëngjesi pune në Sofje me ambasadorët e vendeve të BE-së dhe NATO-s, kushtuar ecurisë së projektit strategjik të infrastrukturës. Në takim morën pjesë edhe ministrat e Zhvillimit Rajonal dhe Punëve publike Ivan Ivanov, ministri i Mbrojtjes Atanas Zaprijanov, përfaqësues të Komisionit Evropian, hekurudhës Kombëtare dhe Agjencisë për infrastrukturë rrugore.
Karaxhov theksoi se tuneli mes Gjushevës dhe kufirit me Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm objekt infrastrukturor, por lidhje strategjike që mundëson lëvizje të lirë mes Detit të Zi dhe Adriatik. Sipas tij, Bullgaria mundet menjëherë të fillojë me ndërtimin e pjesës nga Gjusheva deri te kufiri me gjatësi prej 2,4 kilometra, por fillimi i vërtetë varet nga ndërtimi i vetë objektit të tunelit.
“Presim përgjigje dhe komente nga Shkupi për marrëveshjen e propozuar. Derisa nuk kemi vërejtje, jemi të gatshëm që menjëherë ta nënshkruajmë dhe të fillojmë me punë”, tha Karaxhov.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Ivan Ivanov deklaroi se pavarësisht sfidave, Bullgaria nuk duhet ta humb fokusin e projektve strategjike siç është Korridori 8. Ai theksoi nevojën për përshpejtimin e realizimit, sepse projekti është i një rëndësie të jashtëzakonshme për lidhjen ekonomike dhe logjistike në rajon.
Ministri i Mbrojtes, Atanas Zaprijanov, theksoi se zhvillimi i infrastrukturës themelore, përfshirë edhe lidhshmërinë hekurudhore me Republikën e Maqedonisë së Veriut është e një rëndësie të veçantë për Bullgarinë dhe duhet bërë gjithçka që është e mundur për të arritur përparim të prekshëm në një periudhë të shkurtër kohore.
Bullgaria e konsideron lidhjen hekurudhore me Maqedoninë e Veriut si element kyç të projektit të Lëvizshmërisë ushtarake i cili është prioritet për bashkëpunimin ndërmjet NATO-s dhe BE-së, theksoi Zaprijanov. Sipas tij, lidhja më e mirë rrit jo vetëm aftësitë mbrojtëse, por edhe rolin e rajonit në sistemin e sigurisë së Evropës.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski më 14 mars njoftoi se janë dërguar letra në Delegacionin Evropian, në Komunitetin Evropian të Transportit, por edhe në Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pasi Qeveria bullgare informoi se nuk janë siguruar mjete për linjën hekurudhore e cila duhet të lidhë Sofje-Shkup përmes hekurudhës Korridori 8.
Nikolloski atëherë vlerësoi se vendimi i Qeverisë bullgare për ndarjen e mjeteve për rindërtimin e aksit nga Sofja në Pernik dhe nga Perniku në Radomir të drejtojë për ndërtimin e hekurudhës nga Sofja në Burgas, është një mesazh politik në lidhje me përkushtimin e tyre, ose më saktë mungesën e angazhimit, për ndërtimin e hekurudhës Korridori 8. Faza e parë e hekurudhës për Bullgarinë, Kumanovë-Beljakovcë, ka përfunduar, ndërsa afati për fazën e dytë nga Beljakovca në Kriva Pallankë është tetori i vitit 2026. Faza e tretë, theksoi zëvendëskryeministri, do të ketë kuptim vetëm nëse lidhemi me Bullgarinë. Tuneli nuk mund të ndërtohet në gjysmë të rrugës dhe siç thotë Nikollovski, një gjë të tillë nuk ka askund në botë. Ai është i vendosur se duhet të ketë marrëveshje për fazën e tretë.