“Institucionet në Shkup nuk kanë paraqitur argumente reale për kontestimin e regjistrimit të shoqatave bullgare”, tha sot në një konferencë për media zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Kostadin Koxhabashev, si reagim ndaj vendimit të djeshëm të shlyerjes së klubit bullgar “Ivan Mihajllov” nga Regjistri Qendror i Maqedonisë së Veriut.
Ai tha se janë thellësisht të shqetësuar nga veprimet e Maqedonisë së Veriut për të kufizuar të drejtat e asociimit dhe shprehjes së lirë të komunitetit bullgar në RMV. Sipas tij, autoritetet e Shkupit për mbylljen e këtij klubi nuk kanë paraqitur argumente reale, përcjell INA.
“Vendimi është joparimor, tendencioz dhe i njëanshëm duke i vendosur emrat e shoqatave në një kontekst të deformuar historik dhe ideologjik. Fakti që besimet e bullgarëve në RMV nuk janë në përputhje me doktrinën historike atje, nuk do të thotë se ato nuk janë në përputhje me rendin juridik dhe parimet demokratike. Vlerësimet e Ivan Mihajllovit nuk mbështeten në korpusin e gjerë të provave historike dhe kanë për qëllim ruajtjen e monopolit të një interpretimi të qëllimshëm dhe revizionist të historisë sonë të përbashkët, veçanërisht në lidhje me pretendimet e besimeve antisemite të Ivan Mihajllovit”, theksoi zëvendësministri Koxhabashev.
Ai bëri të ditur se Bullgaria do t’i drejtohet Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të drejtave të bullgarëve në RMV”. Ai përkujtoi se Bullgaria është ende në pritje të informacionit dhe drejtësisë efektive kundër autorëve të sulmeve, sipas tij, ndaj shoqatave bullgare.