Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit lidhur me zhvillimet e fundit në Prokurorinë Publike dhe veprimet e kryeprokurorit të ri, duke theksuar se qëndrimi i partisë së tij ka qenë i drejtë që në fillim.
MARKETING
Ai rikujtoi se Aleanca për Shqiptarët kishte shprehur mosbesim ndaj përzgjedhjes së kryeprokurorit, duke e cilësuar atë si përpjekje për vendosjen e kontrollit politik mbi sistemin e drejtësisë.
“Sot, zhvillimet e fundit vetëm sa e konfirmojnë atë që kemi paralajmëruar që në fillim,” deklaroi Snopçe.
Në fjalimin e tij, ai ngriti shqetësimin për atë që e quajti “krim institucional”, duke vlerësuar se në vend nuk bëhet më fjalë për raste të izoluara korrupsioni, por për një sistem të tërë të kapur. Sipas tij, institucionet funksionojnë si “enë të lidhura”, ku shkeljet në një institucion mbulohen nga një tjetër, ndërsa drejtësia përdoret për qëllime politike.
Snopçe theksoi se, ndonëse kishte pasur shpresë që kryeprokurori i ri të vepronte në mënyrë të pavarur, zhvillimet e fundit në Prokurorinë Publike tregojnë të kundërtën dhe përforcojnë bindjen se bëhet fjalë për një emërim politik në shërbim të pushtetit.
Në fund, ai u bëri thirrje të gjithë atyre që kishin kritikuar Aleancën për Shqiptarët për votën kundër, që të reflektojnë dhe të kërkojnë falje nga qytetarët.
“Ky nuk ishte një qëndrim politik, por parimor: ose je me drejtësinë, ose je me kontrollin politik të saj,” përfundoi deputeti Halil Snopçe.


