Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe ka reagura mbi zgjedhjen e guvernatorit të ri të Bankës Popullore.
Sipas asaj që ka potencuar deputeti i ASH-së nga foltorja e Kuvendit, zgjedhja e Trajko Sllaveskit është jo vetëm i papërshtatshëm, por edhe i rrezikshëm.
Ky propozim është propozim puro politik, thotë deputeti Snopçe.
“Emëri i tij është i lidhur ngushtë me periudhën më të errët të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së nën udhëheqjen e Nikolla Gruevskit. Si ministër i Financave në atë kohë, Sllaveski ishte pjesë e një qeverie që keqpërdori institucionet për interesa partiake dhe personale. Ai nuk njihet për qëndrime të pavarura, por për besnikëri politike ndaj partisë dhe lidershipit të saj”, ka deklaruar deputeti i ASH, Halil Snopçe.
Emërimi i një personi si Sllaveski – që nuk e fsheh asnjëherë orientimin dhe përkatësinë e tij politike, siç potencon deputeti i ASH-së, do të thotë vendosje përfundimtare e kontrollit partiak mbi politikën monetare dhe ekonomike të vendit.
“Trajko Sllaveski ishte zëri i liderit të VMRO-së Hristijan Mickovski në Këshillin e Qytetit të Shkupit. Në këtë post u tregua si bllokues dhe jo i gatshëm për bashkëpunim”, shton më tej deputeti Snopçe.
Ai shton se Sllaveski asnjëherë nuk është prononcua për akuzat e kryetares së Shkupit në lidhje me mafian urbane dhe mbajti një qëndrim oportunist.
“Aleanca për Shqiptarët është kategorikisht kundër vendosjes së kontrollit politik mbi institucionin kryesor për politikat monetare në shtet”, mbyll fjalimin e tij deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.