Profesori dhe analisti i njohur nga Tetova, Xhelal Zejneli, është i bindur se ASH-ja e Arben Taravarit e humb edhe komunën e Gostivarit, nëse në zgjedhjet lokale del e vetme. Këtë në emisionin “Dialog te Lajmi”, profesori Xhelal Zejneli ia ka përsëritur deputetit Halil Snopçe.
“Dëgjo deputet. Në qoftë se ju dilni vetë, pa koalicion në zgjedhjet vendore, ju edhe Gostivarin nuk do ta fitoni. Këtë tregojani edhe liderit tënd Taravarit”, tha Zejneli.
Por, deputeti Halil Snopçe e ka kundërshtuar kategorikisht këtë parashikim të profesorit Xhelal Zejneli, duke thënë se ASH-ja e Taravarit e fiton Gostivarin edhe nëse BDI-ja bashkëpunon me VLEN-in në këtë komunë.
“Në asnjë mënyrë nuk rrezikohet Gostivari. E respektoj mendimin e profesorit, në çdo variant Gostivari fitohet, në çdo variant. Gostivari është komunë fituese në çdo variant dhe ta garantoj këtë, qind për qind, nënshkruaj”, tha Snopçe.
Zejneli: Nëse bashkohen të gjitha kundër ASH-së në Gostivar?
Snopçe: Në çdo variant, edhe nëse bashkohet BDI-ja me VLEN-in, Gostivari fitohet nga ASH-ja.