Bankat Qendrore në pesë vitet e fundit me sukses u ballafaquan me situata jashtëzakonisht të vështira. Tani jemi në fazën përfundimtare të uljes së inflacionit dhe krijuam një hapësirë të rëndësishme në politikat për ballafaqim me goditjet e ardhshme. Megjithatë, meqenëse ende nuk po duken ujëra të qetë, duhet të qëndrojmë vigjilent në shumë fronte – tha sot guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, në hapjen e konferencës në nivel të lartë me temë “Veprimi bankar qendror në kushte të ndryshimeve të përhershme botërore: nxitja e stabilitetit, inovacioneve dhe qëndrueshmërisë”, që mbahet në Shkup në organizim të Bankës Popullore, me mbështetje të Forumit Evropian për Mjete dhe Financa Evropiane (SUERF – The European Money and Finance Forum).
Sllaveski tha se tema e ngjarjes së sivjetme është shumë aktuale, përkatësisht në momentin kur fokusi ishte vendosur në kthimin e stabilitetit të çmimeve dhe normalizimit të politikave, u paraqitën sfida të reja – tensionet e përforcuara tregtare dhe gjeopolitike pas përshkallëzimit të mëparshëm të konfliktit me Iranin dhe ndërprerjeve në Ngushticën e Hormuzit.
“Para se gjithash, duhet të vazhdojmë ta bindim opinionin se edhe krahas kompleksitetit të mjedisit, bankat qendrore mbesin fuqishëm të përkushtuara në stabilitetin e çmimeve. Kjo nuk është vetëm një përpjekje formale në letër, ky është themeli i rritjes së qëndrueshme, stabilitetit financiar dhe kohezionit më të gjerë shoqëror. Në epokën e krizave të ndërthurura, ruajtja e saj është edhe më e vështirë dhe më e rëndësishme se kurrë”, theksoi guvernatori.
Ai theksoi se stabiliteti mund të sigurohet vetëm përmes institucioneve të forta, të pavarura dhe përgjegjëse, politikat dueht të udhëhiqen nga themelet ekonomike, ndërsa jo nga presionet politike afatshkurtra, ndërsa një bankë qendrore e pavarur dhe përgjegjëse e mbron besueshmërinë e fituar dhe i mban pritjet e inflacionit të ankoruara fuqishëm.
Guvernatori i Bankës Popullore theksoi se politika monetare nuk funksionon në vakum, ndërsa krizat e mëparshme kanë treguar se sa i rëndësishëm është koordinimi efektiv me politikën fiskale. Nga viti 2021, theksoi ai, politika fiskale në rajon në përgjithësi e ka mbështetur drejtimin anti-inflacionar të politikës monetare. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë zbatuar një konsolidim fiskal të shpejtë postpandemik, me deficite buxhetore mesatare prej 2,2 për qind në pesë vitet e fundit, ndërsa borxhi publik tani është nën nivelin e pandemisë.
Ai shtoi se në të njëjtën kohë, derisa po përballemi me rreziqet e jashtme të vazhdueshme, sistemi financiar kalon nëpër ndryshime të shpejta strukturore. Pagesat në kohë reale, mjetet digjitale private, valutat digjitale të bankave qendrore, inteligjenca artificiale dhe analiza e të dhënave të mëdha e transformojnë ndërmjetësimin financiar, vlerësimin e rrezikut dhe parashikimin makroekonomik, përkatësisht në thelb e ndryshojnë peizazhin e veprimit bankar qendror.
Për të ndërtuar një rezistencë të vërtetë, shtoi guvernatori, duhet t’u japim prioritet politikës monetare të besueshme, bankave të forta dhe të mira të kapitalizuara, kornizave efektive makroprudenciale dhe pozitave fiskale të kujdesshme. Gjithashtu, theksoi, duhet të investojmë në gatishmërinë teknologjike.
Guvernatori shtoi se në goditjet gjeopolitike të sapondodhura ata duhet t’i përmbahen me vendosmëri leksioneve të mësuara nga krizat e kaluara.
Në kuadër të ngjarjes do të mbahen tre panel diskutime në të cilat guvernatorë dhe përfaqësues të lartë të bankave qendrore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare do të bisedojnë për sfidat kryesore për veprimin bankar në kushte të pasigurisë së rritur botërore. Pjesëmarrësit do të flasin për politikat makroekonomike, përvojat e ballafaqimit me goditjet ekonomike botërore dhe roli i politikave ekonomike në mbajtjen e qëndrueshmërisë financiare.


