Ka filluar Edicioni i 11-të i Festivalit ndërkombëtar i teatrove, “Skupi Festival”, në të cilin do të shfaqen shtatë shfaqje nga Shqipëria, Kosova, Izraeli, Serbia, Rusia, Irani dhe Bullgaria. E para në skenë, në ambientet e Suli hanit, erdhi të enjten në mbrëmje ku u ngjit shfaqja “Shtëpia e Bernarda Albës” nga Lorka, në regji të Qëndrim Rijanit, në interpretim të Teatrit “Andon Zako Çajupi” nga Korça. Vepra Frederiko Garcia Lorka është një “Eksterier Spektakël”. Ajo erdh, në skenë, ku e gjithë përrala u përshtat me vendin e veprimit, ndërkohë që publiku u ngjit si bashkëvuajtës me personazhet, ndihmuar kjo edhe nga vetë vendi i veprimit. Kjo vepër si rrallë herë na bën pjesëmarrës në dramën e pasionit, pushtetit dhe mungesës së lirisë. Janë gjashtë vajza në kërkim të pasionit erotik të ndrydhur, njohton Almakos.
Një Bernardë, e obsesionuar nga konceptet e nderit dhe traditës. Një gjyshe e burgosur nga e bija. Në një ambient uji, vajzat ndjellin dëshirat seksuale. Bukuria korruptohet, sugjeron Lorka, në një ambient ku njerëzit nuk lejohen të shijojnë dhe përjetojnë pasionet e tyre. Interpretuan aktoret e mirënjohura Zamira kita, Klodjana Keco, Gladiola Harizaj, Blerta Belliu, Dasara Xhangolli, Linda Jarani, Ilda Pegi, Sotiraq Bratko, si dhe kënduan Laxarela Deti dhe Niki Petriti.
Të premten (sonte), por kësaj radhe në skenën e Qendrës Kulturore të Rinjve do të ngjitet shfaqja BISHA e Teatrit rus “U Mosta”. Bëhet fjalë për një shfaqje që zhvillohet në rrënojat e civilizimit të zhdukur. Babai, Nëna dhe Vajza e tyre, janë të vetmit që kanë mbetur gjallë në Tokë. Ata enden në shkretëtirë, të djegur nga katastrofa atomike, në kërkim të njerëzve tjerë për ta shpëtuar jetën e Universit. Pos atmosferës së ftohtë të jetës pas Armagedonit botëror, shfaqja lë përshtypje të dritës dhe katarsës. Ndërkaq, të shtunën, pjesëmarrës e këtij festivali do të jetë shfaqja MARTIR e trupës së Gjakovës. Drama kontraverse “Martir” nga autori Marous Von Mayenburg flet për jetën e një djali të ri Benjamin Sinclair që përqafon fundamentalizimin e krishterë , duke i turbulluar jetët e të rriturve të pafuqishëm rreth tij. Si një bombë me sahat, tregimi i Benjamin-it është shqetësuses për publikun. Por, njëkohësisht edhe tregim sfidues dhe tërheqës, jo vetëm për audiencën e re, dhe reflekton më së miri konfuzionin e botes sot, ku presioni e të qenit politikisht korrekt, tolerant ndaj paragjykimeve ndeshet me debatin e pafund rreth, religjionit, dogmës dhe shkencës. Drama e Mayenburg-ut nuk është vetëm një thumbim cinik për fobinë ndaj radikalizimit fetar në botën perëndimore. Drama në mënyrë groteske shpalosë frikën universale nga “të tjerët”, si një konstante e pavetëdijshme të shoqërive që supozohen të jenë tolerante.
D.Kërluku
Almakos.com