Mbishkrim vetëm në maqedonisht, pa gjuhën shqipe në mes të Likovës, shkruan gazeta KOHA.
Sinjalistakat e reja të vendosura në Likovë, para një shkolle në fshatin Likovë janë shkruar vetëm në një gjuhë, në maqedonisht. Bëhet fjalë për projektin për sinjalizimin e rrugës lokale nga varrezat e fshatig Likovë deri te Penda e Likovës, financuar nga Banka Botërore, por që mbikëqyret nga Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut. Mbishkrimi në maqedonisht “Školo” është vendosur mu përpara hyrjes së gjimnazit “Ismet Jashari”.
Pas këtij skandali, përveç banorëve, ka reaguar kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, ndërsa ka siguruar se “lëshimi do të korrigjohet në afatin më të shkurtër të mundshëm”, raporton KOHA.
Reagimi i plotë i Erkan Arifit:
Komuna e Likovës, në bazë të shpalljes publike të Ministrisë për Transport, është shfrytëzues i fundit i projektit për sinjalizimin e rrugës lokale nga varrezat e f. Likovë deri te Penda e Likovës, financuar nga Banka Botërore.
Sqarojmë se Ministria e transportit dhe lidhjeve ka të nënshkruar kontratë me punëkryerësin dhe organin mbikëqyrës; autoritet kontraktues është Ministria përkatëse.
Kërkojmë reagim urgjent për korrigjimin e sinjalizimit në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, respektivisht vendosjen e tyre në gjuhën shqipe.
Sigurojmë qytetarët se lëshimi nga autoritetet e lartëpërmendura do të korrigjohet në afatin më të shkurtër të mundshëm dhe se Komuna qëndron në mbrojtje të të drejtave ligjore.


