08 March
Në kohën kur presidenti Ivanov refuzon të ia dorëzojë mandatin Zoran Zaevit, ekspertët juridikë vlerësojnë se 2 janë opsionet më të mundshme për zhbllokimin e krizës. Sipas tyre mundësia e parë është që presidenti Ivanov të tërheq vendimin jo kushtetues dhe dorëzojë mandatin ndërsa rruga e dytë ligjore sipas tyre është që shumica parlamentare të iniciojë mbledhjen e kuvendit.
“Shumica parlamentare e siguruar me 67 deputetë të jenë unik dhe të kërkojnë thirrjen e seancës. Nëse kryesuesi i tashëm refuzon, nga mazhoranca parlamentare do të caktohet deputeti më i vjetër dhe ai do ta konvokojë dhe udhëheq mbledhjen plenare dhe në atë mbledhje duhet të përfundojë çështja e zgjedhjes së kryetarit dhe në seancë tjetër do të bëhet zgjedhja e qeverisë dhe aprovimi i programit që duhet të pranohet nga parlamenti”, tha Osman Kadriu, ekspert juridik.
Edhe për ish gjykatësen në Gjykatën e Strasburgut Margarita Caca Nikollovska thirrja e seancës konstituive nga ana e deputetëve është hap ligjor. Megjithatë ajo dyshon se partitë politike do të ndërmerrnin një hap të tillë pas kërcënimeve serioze se në një skenar të tillë nuk do të përjashtohej mundësia e vënies së flakës parlamentit.
“Gjithnjë e më shumë del në pah nevoja për një seancë tjetër konstitutive të kuvendit ku mund të votohet qeveria. Megjithatë siç duket kërcënimet që janë prezente një kohë të gjatë tashmë, jo vetëm të individëve por edhe kërcënimeve serioze se në një rast të tillë parlamenti do të merrte erë baruti mendoj se veprimi i tillë në kohën kur pritet që Ivanov të ndërmerr veprim të arsyeshëm, nuk është në lojë”, u shpreh Margarita Caca Nikollovska, ish gjykatëse në Gjykatën e Strasburgut.
Nikollovska gjithashtu përjashton mundësinë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Ivanovit.
“Vendimi i tillë i presidentit nuk përbën akt por veprim që do të thotë se këtu vihet në pikëpyetje kompetenca e Gjykatës Kushtetuese të reagojë për vlerësimin e aktit që ka miratuar Ivanov vis a vis kushtetutshmërisë së tij. Çështja e impiçmentit gjithashtu është problematike pasi nevojiten 2/3 e votave në parlament por edhe në Gjykatën e Kushtetuese”, theksoi Margarita Caca Nikollovska, ish gjykatëse në Gjykatën e Strasburgut.
Profesori Osman Kadriu nga ana tjetër vlerëson se për zhbllokimin e situatës partitë duhet të tregojnë unitet.
“Mendoj se për këto aktivitete në veçanti përgjegjësi kanë partitë shqiptare ata nuk mund të qëndrojnë indiferent nuk mund të rrinë në dorën e dytë në krahasim me LSDM ata janë të barabartë në të drejtat që kanë dhe obligimet që kanë ndaj parlamentit dhe qytetarëve nuk guxon parlamenti të mbetet i mbyllur”, u shpreh Osman Kadriu, ekspert juridik.
Për ekspertët juridik edhe spekulimi për tërheqjen e mundshme të ministrave shqiptarë nga qeveria aktuale nuk do të ishte zgjidhje e situatës. Për ta edhe qeveria aktuale nuk ka legjitimitet pasi radhët e tyre nuk janë rinovuar pas zgjedhjeve të fundit ku një pjesë e tyre janë edhe deputetë. Po ashtu as aspekti moral i tërheqjes së BDI-së dhe mbetja e VMRO-së në qeveri nuk do të luante ndonjë rol. Sipas tyre qeveria aktuale nuk mund të llogaritet me atributet e një qeveria të mirëfilltë as për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme. Por ekspertët njëzëri theksojnë se nëse do të tentohej për një Përzhino 3 as ajo nuk do të realizohet pa vullnet politik.
Semra Musai