Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka zbuluar një skemë mashtrimi që synonte vjedhjen e të dhënave bankare të qytetarëve shqiptarë përmes mesazheve telefonike të rreme.
Në këtë skemë, mashtruesit përdornin emrin e Postës Shqiptare për të dërguar mesazhe ku njoftonin për një dërgesë të papërfunduar që, sipas tyre, nuk mund të dorëzohej pa dhënë të dhënat personale nëpërmjet një linku të përfshirë në mesazh.
Qytetarët që klikonin në linkun e paraqitur rrezikonin të humbnin të dhënat e kartave të tyre të kreditit, të cilat më pas përdroheshin për veprime të paligjshme financiare.
Autoritetet kibernetike këshillojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos japin asnjë informacion personal apo financiar përmes mesazheve të dyshimta, duke kontrolluar gjithmonë burimin e tyre përpara se të ndërmarrin veprime.
Mesazhi i AKSK:
KUJDES: Mos bini pre e mashtrimeve online!
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për të bllokuar një skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme në emër të Postës Shqiptare.
Domaini i rrezikshëm është raportuar dhe dërguar për bllokim te AKEP.
Kjo fushatë nuk ka lidhje me një aktor të sponsorizuar specifik, por është një tjetër përpjekje për të vjedhur të dhënat e kartave të kreditit, njësoj si rastet e mëparshme që janë hasur nga imitues të Postës Shqiptare.
Kujdes! Mos jepni në asnjë rast të dhënat tuaja bankare apo të kartës përmes formave të dyshimta!
AKSK vijon monitorimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet përgjegjëse për të parandaluar çdo përpjekje për mashtrim digjital.