Komuna e Strugës dhe kryetari i saj, javëve të fundit kanë qënë pjesë e kritikave pasi edhe pas konstatimeve të Revizionit Shtetëror për buxhet jostabil, Merko kishte hapur konkurs për punësim të rreth 30 personave, shkruan in7.
Sidoqoftë, konkursi i shpallur më 9 Nëntor u zhvillua dhe më datë 27 Dhjetor në faqen zyrtare të Agjencisë për Administratë janë publikuar vendimet për pranimin e kandidatëve, të cilët i kanë kaluar filtrat e nevojshëm për të fituar një vend pune në administratën lokale të Strugës.
Në mesin e të përzgjedhurve në këtë konkurs, është edhe emri i ish Sekretarit të kësaj komune, i cili u shkarkua pasi kishte falsifikuar dokumentet dhe në atë pozitë kishte ardhur pa meritë e pa i plotësuar kushtet. Shkelja e tillë ishte konstatuar nga Inspektorati Administrativ dhe nga revizorët shtetëror të cilët atëkohë ishin duke kryer revizion në Komunën e Strugës, përcjell in7.

Për in7.tv në linjë telefonike, inspektorja Vesna Lekoska nga Inspektorati Shtetëror Administrativ, theksoi se gjatë kontrollit në Komunën e Strugës është konstatuar shkelje procedurale në avancimin e të punësuarve, me çka ishte kaluar pragu prej dy shkallëve të lejuara ligjërisht.
“Në raportin të cilin e kam dorëzuar ne Komunën e Strugës kam theksuar se komisioni që ka qënë kompetent për avancimin e punëtorëve, duhet ta rishikojë konkursin dhe procedurën. Për personin në fjalë B.P mua mu dorëzua një dokument se para se të caktohet për Sekretar, ka qënë Udhëheqës Njësie. Por se a është origjinal apo fals, ajo nuk është puna ime. Në atë kohë në komunë kishte edhe revizion. Ndoshta ata kanë konstatuar diçka”, thotë për in7, inspektorja Vesna Lekoska.
Pasi ishte zbuluar shkelja, e cila ligjërisht paraqet edhe vepër penale, kreu i Strugës e kishte mbyllur këtë çështje vetëm me ngritjen e nje procedure disiplinore me çka, personi B.P ishte dënuar vetëm me heqje të një përqindjeje nga rroga apo ulje për një shkallë në pozitën e punës.
Tani kur nuk kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj, Ramiz Merko e ka shpërblyer të njëjtin person me pozitë udhëheqëse.
Jozyrtarisht, in7.tv mëson se dokumenti të cilin B.P e kishte fasifikuar ishte një Vendim për përzgjedhje në pozitën Udhëheqës Njësie në vitin 2015, kur kryetar komune ka qënë Ziadin Sela. Vendimi në fjalë ka qënë për përzgjedhjen e dikujt tjetër, ndërsa B.P kishte marrë fletën ku Sela ishte nënshkruar dhe të njëjtën e ka ngjitur tek dokumenti me emrin e tij.
Kemi dorëzuar pyetje edhe në Komunën e Strugës, por edhe pse kanë kaluar më shumë se tre javë, deri në këto momente nuk kemi pranuar asnjë përgjigje.
Ndërkaq, nga ana tjetër mësojmë se partia opozitare në Strugë, Aleanca për Shqiptarët ka iniciuar kallëzim penal pikërisht për çështjen në fjalë, pasi sipas tyre, personi B.P e që nga kjo parti e cilësojnë si bashkëpunëtor të afërt të Ramiz Merkos, ka fasifikuar nënshkrimin e kreut të Aleancës për Shqiptarët.
“Kjo çështje patjetër të marrë epilog gjyqësor. Nuk mundet personi që fasifikon dokumente, bën shkelje aq të rënda dhe të shpëtojë pa kurrfarë dënimi. Ne kemi angazhuar avokat, i cili do ta ndjekë këtë çështje”, thonë për in7 nga Aleanca për Shqiptarët.
Përveç personit B.P në konkursin intern të Komunës së Strugës në Shtator të vitit 2018 janë avancuar edhe disa të punësuar të tjerë nga administrata lokale. Edhe për të paktën tre prej tyre janë konstatuar shkelje procedurale, me çka të gjithë, bashkë me B.P janë kthyer në pozitën e mëparshme dhe kanë kthyer mbrapsht paratë e marra tepër si pasojë e vendimeve për avancim, që ka qënë i dyshimtë dhe joligjor. E tani të njejtët persona me konkursin e fundit janë avancuar sërish në pozita drejtuese në administratën lokale.
Në raportin e Inspektoratit Shtetëror Administrativ për konkursin në të cilën B.P kishte dhënë të dhëna të rrejshme shkruhet:
“Inspektori administrativ udhëzon Kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko dhe komisionin selektues për avancim të formuar me aktvendimin me numër 04-379/30 të datës 10.09.2018 nga Kryetari i Komunës së Strugës, ta rishqyrtojnë procedurën për avancim në vendet udhëheqëse të punës të konstatuara me procesverbalin për përzgjedhje me numër 04-3790/32 të datës 21.09.2018, në aspekt të besueshmërisë së të dhënave të parashtruara në aplikim”.
Ndërsa në Propozimin për nisje të procedurës diciplinore ndaj personit B.P, shkruhet mes tjerash edhe shkelja e bërë nga ky i punësuar dhe atë “ në ditën e mbikqyrjes së jashtëzakonshme të inspektimit, B.P i ka dhënë inspektores shtetërore administrative të dhëna të rrejshme dhe të pavërteta, se ka Aktendim me të cilin ka qënë i sistemuar në vendin e punës udhëheqës i Njësisë për përkrahje të Kryetarit të Komunës dhe organizim të punës së Këshillit, të nënshkruar nga kryetari i mëparshëm i komunës, Ziadin Sela”.
Ndryshe, personi në fjalë, gjatë zgjedhjeve të fundit lokale në Strugë ka qënë pjesë e Komisionit Shtetëror Zgjedhor në fshatin Podgorcë të Strugës. Në këto zgjedhje fitues doli Ramiz Merko, në një garë zgjedhore që nga opozita e sotme u cilësua si jo e rregullt dhe e dyshimtë./in7.tv/
Më poshtë mund të shikoni dokumentet e siguruar nga in7.tv
1. Dokumentet e falsifikuara
2. Propozimi për nisje të procedurës diciplinore, pas konstatimit të falsifikimit
3. Përzgjedhja për Udhëheqës Njësie me konkursin e fundit të të njëjtit person që është dënuar për falsifikim










