BDI ka reaguar ndaj deklaratës së fundit të ministrit të Transportit, Aleksandar Nikollovski, i cili para disa ditësh tha publikisht se segmenti Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë, si pjesë e Korridorit 8, mund të përjashtohet nga projekti për shkak të kufizimeve të lidhura me UNESCO-n. Nga partia e Ali Ahmetit vlerësojnë se një deklaratë e tillë është alarmante dhe e papranueshme, duke theksuar se bëhet fjalë për një projekt strategjik me rëndësi të madhe rajonale dhe ndërkombëtare. Sipas BDI-së, Korridori 8 nuk është një projekt lokal infrastrukture, por një korridor strategjik që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, duke bashkuar Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë në një bosht të rëndësishëm ekonomik dhe gjeopolitik. Ata theksojnë se segmenti Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë është pjesë përbërëse e këtij korridori dhe e planeve të miratuara më parë.
“Përjashtimi i kësaj pjese nuk është vetëm një ndryshim teknik, por cenon vetë logjikën dhe funksionin e Korridorit 8. Pa këtë segment ndërpritet lidhja natyrore mes Adriatikut dhe pjesës lindore të Ballkanit”, thuhet në reagim.
Nga BDI paralajmërojnë se dobësimi i këtij korridori mund të ketë edhe implikime gjeostrategjike, pasi Korridori 8 konsiderohet një nga projektet që forcon lidhjen lindje-perëndim në krahun jugor të NATO-s. Sipas tyre, dobësimi i tij mund të hapë hapësirë për promovimin e projekteve infrastrukturore në boshtin veri-jug, që përputhen me interesa të tjera gjeopolitike në rajon. BDI kritikon edhe heshtjen e zyrtarëve vendorë lidhur me këtë çështje. Në reagim thuhet se zëvendësministrja e Transportit, Kaltina Zekolli, e cila së fundmi vizitoi Strugën për të promovuar projekte të tjera, nuk ka dhënë asnjë qëndrim për deklaratën e ministrit. Po ashtu, BDI kritikon edhe kryetarin e Komunës së Strugës, Mendi Qyra, për mungesë reagimi.
“Ministri paralajmëron mundësinë që Struga të përjashtohet nga Korridori 8, ndërsa zëvendësministrja shqiptare hesht. Por nuk hesht vetëm zëvendësministrja. Hesht edhe kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, i cili në vend që të mbrojë interesin e qytetit që drejton, po bëhet alibi për këtë situatë. Prandaj sot parashtrojmë disa pyetje të drejtpërdrejta: A planifikon Qeveria ta largojë segmentin Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë nga Korridori 8? A është kjo arsyeja pse ministri e paralajmëroi publikisht një mundësi të tillë? Dhe pse zëvendësministrja Kaltrina Zekolli dhe kryetari i Strugës nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë çështje?”.
BDI kërkon përgjigje të qarta nga institucionet lidhur me këtë çështje, duke parashtruar disa pyetje direkte: nëse Qeveria planifikon të përjashtojë segmentin Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë nga Korridori 8 dhe nëse deklarata e ministrit ishte paralajmërim për një vendim të tillë. “Qytetarët meritojnë përgjigje të qarta. Korridori 8 është projekt strategjik shtetëror dhe ndërkombëtar dhe nuk mund të ndryshohet përmes deklaratave të rastësishme apo kalkulimeve politike”, thekson BDI.
Nga kjo parti kërkojnë që Ministria e Transportit dhe Qeveria të sqarojnë menjëherë nëse segmenti Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë do të mbetet pjesë e Korridorit 8, duke theksuar se dobësimi i këtij korridori nuk dëmton vetëm Strugën, por edhe rolin strategjik të Maqedonisë së Veriut në lidhjen Adriatik-Deti i Zi dhe në arkitekturën e sigurisë së NATO-s në rajon. (koha.mk)


