Një biznes i importit të pijes alkoolike ka ngritur shqetësimin për bllokimin e mallrave të tij në doganë, pas mbarimit të kontratës së kompanisë SiCPA për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale.
Sipas denoncimit të bërë nga qytetari, kontrata me kompaninë SiCPA ka përfunduar më 1 janar 2025, dhe kompania që ka marrë të drejtën për të prodhuar pullat fiskale, “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, ende nuk ka nisur procesin e prodhimit, duke lënë mallrat të bllokuara në doganë.
Për të sqaruar situatën, qytetari ka kërkuar një përgjigje nga Drejtoria e Akcizave dhe ka marrë një përgjigje zyrtare ku thuhet: “Bazuar në përcaktimet ligjore të ligjit nr. 17/2023, kontrata me kompaninë ‘Siopa Security Solutions Albania’ ka përfunduar më 31 Dhjetor 2024. Nga 1 janar 2025, autorizohet shoqëria ‘Shtypshkronja e Letrave me Vlore’ për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, por për momentin, autoritetet doganore janë në pritje të udhëzimeve nga kjo kompani për procesin e porosisë dhe shpërndarjes së pullave.”
Bizneset që operojnë me mallra akcize janë në ngërç të rëndë, pasi mallrat e tyre janë të bllokuara për më shumë se dy muaj, ndërkohë që ende nuk ka një datë të saktë për nisjen e prodhimit të pullave fiskale. Kjo situatë kërkon një zgjidhje urgjente nga autoritetet për të rikthyer normalitetin.
Denoncimi i qytetarit:
“Pershendetje joq, Jam nje biznes qe importoj pije alkolie per momentin puna jone eshte bllokuar pasi ne dt 1 janar 2025 kompanise SiCPA e cila prodhonte pullat fiskale per mallarat e akcizes i mbaroj kontrata per prodhimin dhe shitjen e pullave. Nderkohe kompania e cila ka marre te drejten per te prodhuar pulla fiskale ka dy muaj dhe nuk e ka vazhduar prodhimin e pullave. Po behen dy muaj dhe mallarat na jane bllokuar ne dogane dhe nuk na japin asnje dt se kur do filloj prodhimi i pullave, duke pasu besim ne integritetin tuaj si media sociale po ju shkruaj per ta parashtruar kete problem ne menyre qe te mari zgjidhje sa me shpejt. Faleminderit dhe ju lutem anonim”/JOQ