Propozim-konkluzioni për kryerjen e mbikëqyrjes së punës së Agjencisë për Siguri Nacionale në hapësirat e Agjencisë, të mërkurën do të gjendet para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen mbi punën e Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë për Zbulim. Edhe përskaj mungesës së certifikatës së Sigurisë, kryeparlamentari Afrim Gashi në brifing me gazetarët njoftoi se anëtarët e Komisionit janë dakorduar që atë ta kryesojë kryetari i Komisionit, Skender Rexhepi.
“Vetë arritën marrëveshje dhe unë e respektoj atë.”, njoftoi Gashi.
Po të njëjtën ditë, pas mbledhjes, ata anëtarë të Komisionit që kanë certifikata sigurie do të shkojnë në një vizitë mbikëqyrëse në ASK, përveç kryetarit Skender Rexhepi, të cilit i pamundësohet kjo vizitë për shkak të mungesës së certifikatës së sigurisë.
Mbledhja e Komisionit thirret, pasi në opinion doli informacioni se ASK-ja, në periudhën 2019–2024, e ka përgjuar kryeministrin Hristijan Mickoski, atëherë lider opozitar, gazetar dhe biznesmen. Në Prokurori është hapur lëndë me aferën e përgjimeve. Sipas njoftimeve të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ekip i prokurorëve ka vizituar Agjencinë për Siguri Nacionale, por duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për dokumentacion të ndjeshëm dhe voluminoz, kontrolli do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.