Komuna e Gazi Babës në Shkup ua ndalon të punësuarve të saj të flasin në gjuhën shqipe. Rastin në fjalë e ka paraqitur Ajet Rexhepi, i punësuar në këtë komunë, i cili thotë se iu është ndaluar nga shefja e sektorit të komunikojë në gjuhën shqipe me kolegun e tij shqiptar qoftë edhe në komunikim joformal. Rexhepi për këtë rast është ankuar në Komisionin për Anti-Diskriminim, megjithatë përgjigjja që ka marrë nga ky komision është se në këtë rast nuk ekzistojnë elemente diskriminimi në bazë nacionale dhe gjuhësore nga ana e një udhëheqëse e sektorit.
“Unë i ndihmova një kolegu shqiptar në punë që të zhvendoset nga një zyre në tjetrën. Në atë zyre kishte një kolege maqedonase, që të njëjtën zyre duhej ta ndante me kolegun tim shqiptar. Gjatë zhvendosjes së inventarit nga zyra në zyrë, në komunikimin tonë u shërbyem në gjuhën amtare shqipe. Ngaqë kolegeja nuk ka kuptuar se çfarë po flasim, është ankuar deri te shefja e sektorit për komunikimin tonë si gjuhë e pakuptueshme për të. Shefja e sektorit na mblodhi në zyrën e saj dhe në prezencë të koleges na ndaloi mua dhe kolegut shqiptar që të flasim shqip në prezencë të ndonjë kolegu tjetër që nuk e kupton gjuhën shqipe, gjegjësisht ne në komunikimin tonë të flasim vetëm në gjuhën maqedonase”, ka thënë Ajet Rexhepi.
Rexhepi në reagimin e tij ka thënë se, nuk është edhe aq tragjike kjo që ndodh në komunë, se mundet të rregullohen këto gjëra, por ajo që është më tragjike është qëndrimi i Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi ku e barazon ose nuk bën dallimin e përdorimit të gjuhës në mënyrë joformale nga mënyra formale.
“Ndaj këtij vendimi të saj unë u ankova në Komisionin për mbrojtje nga diskriminimi me bazë të përkatësisë etnike, që ngriti procedurë dhe vërtetoi se nuk ka elemente të diskriminimit. Në faqen e dytë paragrafi 2 qëndron qartë se “në hapësirat zyrtare të komunës së Gazi Babës-Shkup, komunikimi i vetëm i të punësuarve në administratën e komunës, pavarësisht a është formale apo joformale, patjetër të zhvillohet në gjuhën zyrtare, pra maqedonase”!Në faqen e tretë paragrafi fundit qëndron se “në Statutin e komunës Gazi Babë informimi i qytetarëve zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe shkronjat kirilike”, thotë gjithashtu Rexhepi.
Sipas tij, ky është rasti i parë në Maqedoni, që është dokumentuar dhe që ndalohet shfrytëzimi i ndonjë gjuhe tjetër, në karakter formal ose joformal, përveç gjuhës maqedonase dhe alfabetit kirilik në kuadër të hapësirave të komunës Gazi Babë, e vërtetuar nga Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi, sipas të cilit ky dokument, që është hartuar në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike dhe bazave ligjore.
Teuta Buçi /SHENJA/
Skandal: Komuna Gazi Babë ua ndalon shqipen të… by tvshenjaofficial