Një grua 72-vjeçare, pronare e një pike këmbimi valutor (exchange), është proceduar penalisht nga policia pasi akuzohet për mosdeklarim të shumave të konsiderueshme parash që klientë të ndryshëm i depozitonin në biznesin e saj për qëllime huadhënieje me interes.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në subjektin në pronësi të shtetases me inicialet E. K., janë evidentuar transaksione të padeklaruara, ku persona të ndryshëm depozitonin para me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, jashtë sistemit bankar dhe pa ndonjë mbikëqyrje ligjore.
Gjatë kontrollit në ambientet e këtij subjekti, u bë sekuestro preventive e një shume prej 500.000 eurosh, të cilat dyshohen se janë përfituar nga veprimtari kriminale në fushën e financave informale dhe kamatëvënies.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre të dyshuar dhe vënien përpara përgjegjësisë penale.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Hidden Funds”.
Nuk deklaronte shumat e parave, të cilat depozitoheshin nga persona të ndryshëm në subjektin e saj (exchange), me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, procedohet në gjendje të lirë pronarja e subjektit.
Sekuestrohen rreth 500 000 euro , të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
Si rezultat i një hetimi, të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë dhe të ndjekur nga Prokuroria e Tiranës, u finalizua operacioni “Hidden Funds”, në kuadër të cilit u procedua penalisht shtetasja E. K., 72 vjeçe.
Në subjektin në pronësi të kësaj shtetaseje, sipas provave të mbledhura, rezulton se depozitoheshin para të padeklaruara nga persona të ndryshëm, me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, jashtë sistemit bankar.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.