Një situatë e pazakontë ka ndodhur mes një mediaje dhe një figure politike. Sipas dokumenteve të siguruara nga Almakos.com, një përmbajtje e portalit është raportuar në Facebook për shkelje të pretenduar të pronësisë intelektuale, ndërsa si raportues figuron emri i Bilall Kasamit, njëri nga bashkëkryetarët e koalicionit VLEN dhe kryetar i Komunës së Tetovës.
Nga ana tjetër, statusi i faqes së Almakos.com tregon se media nuk ka asnjë shkelje të standardeve të Meta-s, ndërsa rasti lidhet me një pretendim për të drejta autoriale.
Në reagimin e saj, redaksia e Almakos.com vlerëson se raportimi vjen si pasojë e publikimit të vazhdueshëm të temave që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet publike.
“Detyra e medias është të informojë publikun dhe të kërkojë transparencë. Kjo nuk duhet të pengohet përmes raportimeve të përmbajtjeve në rrjetet sociale,” thuhet nga Almakos.com.
Nga redaksia shtojnë se, nëse zyrtarët publikë nuk kanë ide se si të përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve dhe të realizojnë projekte konkrete për Tetovën, janë të gatshëm t’u japin edhe këshilla falas.
“Shpresojmë që energjia të fokusohet në ndaljen e betonizimit dhe shitjes së Tetovës, e jo në raportimin e mediave që bëjnë punën e tyre” – thonë nga Almakos.
Almakos.com njofton se do të ndjekë procedurat e parashikuara nga Meta për të kundërshtuar pretendimin dhe për të rikthyer përmbajtjen e raportuar.





