06 March
Sonte skadon afati për shpalljen e zgjedhjeve lokale, gjë që sipas Kodit Zgjedhor është kompetencë ekskluzive e kryetarit të Kuvendit. Meqë Kuvendi tashmë dy muaj nuk ka kryetar, shpallja eventuale ose shtyrja e zgjedhjeve lokale do të ishte e mundur vetëm në rast se formohet shumicë formale që do ta zgjedh kryetarin e Kuvendit para mesnate. As BDI e as LSDM nuk kanë një strategji se si do të menaxhojnë me këtë situatë. Teuta Arifi nga BDI-ja konfirmoi se zgjedhjet lokale do të shtyhen, por pa precizuar se çfarë planifikon BDI-ja të bëjë në këtë rast.
Gjithsesi se ato janë çështje të cilat duhet të shikohen dhe partitë politike do shikojnë që ajo të jetë një rrugë e logjikshme. Megjithatë mendoj se rruga demokratike e vendit tonë është një rrugë e cila duhet të shkojë konform Kushtetutës dhe mundësive kushtetuese. (Përfundimisht zgjedhjet lokale do të prolongohen?) Sipas ditës së sotme, po – tha Teuta Arifi, BDI.
Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov tha për Alsat se LSDM-ja pret që presidenti, Gjorge Ivanov t’ia jep mandatin për formimin e qeverisë Zoran Zaevit dhe pastaj të gjitha çështjet do të mund të zgjidhen në mënyrë institucionale. Ndërkohë, ish kryetari i Bashkësisë së njësive të vetëqeverisjes lokale dhe ish kryetari i komunës Karposh, Andrej Petrov sqaron se dispozitat kushtetuese dhe ligjore në mënyrë decide përcaktojnë se në mars krerëve të komunave do t’u skadojë mandati 4 vjeçar dhe ata pas kësaj nuk kanë të drejtë nënshkrimi. Ai apelon që sa më parë të zgjedhet kryetari i Parlamentit në mënyrë që situata të kthehet në korniza ligjore.
Askush nuk mund të thotë se çfarë do të ndodhë tani, por ajo që duhet të ndodh që të hyhet në një kornizë ligjore është që Parlamenti të vazhdojë seancën konstituive, të zgjedhet kryetari i Parlamentit dhe ai kryetar i Kuvendit t’i shpallë zgjedhjet. Nëse kjo nuk ndodh do të duhet të intervenohet në zgjidhjet ligjore, në Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe në Kodin zgjedhor që të shtyhet data e zgjedhjeve – tha Andrej Petrov, ish kryetar i Bashkësia e njësive të vetëqeverisjes lokale (BNJVL).
Sipas Nenit 12 të Kodit Zgjedhor, aktin për shpalljen e zgjedhjeve e merr kryetari i Kuvendit dhe me të caktohet dita kur fillojnë të rrjedhin afatet për zbatimin e veprimeve zgjedhore dhe dita e mbajtjes së zgjedhjeve. Nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, nuk mund të kalojnë më shumë se 90 ditë, as më pak se 70 ditë.
Anesa Aliti