25 April
Një prej vendeve të goditura në konfliktin e 2001 është lagja Kolltuk e Tetovës. Sot në këtë lagje është qetë. Në disa shtëpi ende mund të shihen gjurmët e konfliktit të para 16 viteve. Edhe pse gjendet nën malin Sharr i cili është i pasur me burime, ky fshat ndodh që me ditë të tëra të mos ketë asnjë pikë uji.
Më i rëndësishëm është uji. Këtu problemi është me ujin, edhe pse mund të them se këtë vit është pak më mirë – thotë një banor i Tetovës
Situatë e ngjashme është edhe në Luboten të Shkupit. Banorët ankohen se me vite të tëra nga shteti nuk marrin ndonjë ndihmë.
Nuk ka financa në Luboten. Njerëzit nuk kanë ujë, ja me plastika bartin ujë. Shteti të mos mund të ndërtojë në digë, le të kushtojë edhe gjysmë milioni euro – thotë Xhezmi Rexhepi, banor i fshatit Luboten.
Ata të cilët në 2001 shikoheshin përmes nishanit, thonë se nuk guxon të lejohet një konflikt i ri. Abedin Zimberi, ish komandant i UÇK-së i cili pagoi çmimin më të madh duke humbur dhjetë anëtarë të familjes, thotë se arma për të nuk është më opsion.
Të njëjtën e thotë edhe ish majori i policisë Stojançe Angellov që çdo ditë jeton me pasojat e vitit 2001.
Maqedonisë nuk i duhet luftë, lufta sjell vrasje, shkatërrime dhe dëme të mëdha për Maqedoninë, nuk dua që asnjëherë të ketë luftë të re, për momentin problemet që ndodhin në Maqedoni janë larg nga ajo që të niset luftë e re – deklaroi Stojançe Angellov, ish gjeneral i policisë.
Angellov dhe Zimberi porositin që të qëndrojnë gjakftohtë. Gjatë konfliktit të vitit 2001 humbën jetën dhjetëra civilë, 15 policë, armata humbi 43 ushtarë, ndërsa mijëra familja u larguan nëpër qytetet tjera, por edhe jashtë vendit.
Alsat M