Ministri Taulant Balla, i cili qëndronte deri më sot në krye të Ministrisë së Brendshme, u paraqit në zonën e Shëngjinit, i cili po digjet nga flakët duke rrezikuar kështu godinat e pushuesve dhe të banorëve në zonën bregdetare.
Përmes një deklarate për media, Balla u shpreh se ka pasur komunikim personal me ministrin slloven, pasi është një shtet që ka mundësinë dhe kapacitetin e mbështetjes.
Ndërkohë Balla shton se ministri aktual i Mbrojtjes është në kontakt me KFOR për të sjellë helikopterë në këtë operacion të vështirë.
Ministri shprehet se era e fortë po favorizon shpërndarjen e flakëve, duke mos lejuar kështu pajisjen e rezultatit të dëshiruar.
Deri më tani Balla deklaron se janë 5 vatra aktive, e se sipas vlerësimit paraprak të Policisë, nuk ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.
Kujtojmë se banorët dhe pushuesit e zonës janë evakuuar në mënyrë që të shmanget rreziku ndaj tyre, teksa disa prej godinave si resorte e hotele janë të rrethuara nga flakët, por deri më tani nuk ka djegie të tyre.
“Kam patur një komunikimin me ministrin slloven, ata kanë mundësinë dhe kapacitet të mbështesin. Ministri i Mbrojtjes është në kontakt me KFOR për të sjellë helikopterët në këtë operacion në vështire.
Në rast se ndalet era, gjëja do të ndryshojë për mire. Në kushtet e kësaj ere, e gjithë puna jonë është e pamundur të japë rezultatin që duam të gjithë. Mos harrojmë që këtu po luftohet prej më shumë se 24 orë pa ndërprerë dhe na duhet që një pjesë e zjarrfikësve t’i spostojmë në vatrat e tjera të zjarrit. Janë 5 vatra aktive.
Sipas vlerësimit parapak të Policisë, nuk kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme”, tha Balla.