Pandemia COVID-19 vijon të përhapet me ritme të shpejta në Shqipëri. Lidhur me situatën e krijuar në vendin tonë, ka folur mjeku, Arjan Mezini.
Mjeku shprehet se në spitale situata paraqitet më e lehtësuar dhe se pritet një rritje e rasteve në gjysmën e dytë të Janarit.
“Do të ketë një shtim të rasteve por jo në ato shifra që pamë në Nëntor apo fillim Dhjetori. Vërejmë dhe nëpër spitale shtrimet janë ulur ndjeshëm. Rastet që shtrohen nuk i kalojmë 5-7 maksimumi në një ditë të caktuar deri në 10. Kurse para një muaji shkonte deri në 40. Kjo më bën të mendoj se dy javëshi i fundit i Janarit do të shënojë një rritje por jo në ato shifra siç ishin në Nëntor.”, u shpreh Mezini pwr “Abc news”.
Mezini i është referuar dhe studimit të Genc Sulçebe dhe Alban Ylli, ku thuhej se rreth 50 përqind e popullsisë në Tiranë e kanë kaluar koronavirusin. Ai thekson se me nisjen e vaksinimit vera e ardhshme do të jetë më e qetë.
“I besoj studimit të profesor Genc Sulçebe dhe Alban Yllit sesa i saktë është, por shifrat aty sorollaten tek 40-50 përqind. Gjysma e njerëzve e kanë kaluar Covidin dhe ne kemi krijuar një përqindje të asaj që quhet imuniteti kolektiv. Nëse do të kemi dhe vaksinën besoj na duhen dhe 2 milionë doza të tjera, kam përshtypjen se do të kemi një verë shumë më të qetë.”, shtoi Mezini.



