Bashkimi Evropian i ka hequr të gjitha masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, është bërë e ditur nga Komisioni Evropian.
Gjatë debatit që është zhvilluar për Raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së, konfirmoi heqjen e masave financiare.
“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian e ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, u shpreh ai.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur Dr. Mirsad Voca, ligjërues në Universitetin e Hamburgut dhe doktor i shkencave në gjeopolitikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
Ai thotë se heqja e masave nga BE është një zhvillim pozitiv që tregon gatishmërinë për rikthimin e bashkëpunimit dhe përparimin drejt integrimit, por kjo rrugë mbetet e varur nga sjellja dhe funksionimi i insitutioneve vendore.
“Heqja e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për Kosovën është një sinjal pozitiv dhe një shenjë se institucionet evropiane janë të gatshme të rikthejnë partneritetin dhe bashkëpunimin. Ky vendim tregon se Brukseli e vlerëson angazhimin e Kosovës për të respektuar kritere të caktuara për qeverisje dhe dialog rajonal dhe synon të inkurajojë një ritëm të ri të përfshirjes së vendit në agjendën e integrimit evropian. Në këtë kuptim, mesazhi është i qartë se Bashkimi Evropian dëshiron të rikthejë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit, por kjo varet nga sjellja dhe funksionimi i institucioneve vendore”, u shpreh ai.
Duke vazhduar tutje, Voca thekson që rikthimi i Kosovës në rrugën e integrimit nuk mjafton të jetë formal, pasi pa stabilitet politik dhe institucione të qëndrueshme, progresi mbetet i brishtë dhe dëmtohet besueshmëria ndërkombëtare.
“Megjithatë, rikthimi i Kosovës “në rrugën e duhur”nuk mund të interpretohet thjesht si një çështje formale apo simbolike. Pa konsolidim të brendshëm dhe stabilitet politik, progresi në integrimin evropian mbetet i paqëndrueshëm. Sfida kryesore është që vendi të krijojë institucione funksionale dhe të qëndrueshme, sepse zgjedhjet e shpeshta, ndryshimet e koalicioneve apo mosmarrëveshjet brenda një viti nuk përkthehen në stabilitet politik, por përbëjnë një formë të « political unrest »që dëmton besueshmërinë ndërkombëtare”, shpjegoi ligjëruesi.
Në fund, Voca nënvizon që vendimi i BE-së është një mundësi për Kosovën që të forcojë stabilitetin dhe konsensusin politik, pasi vetëm me institucione të qëndrueshme mund të arrihet progres i vërtetë drejt integrimit evropian.
“Në këtë kuptim, vendimi i Bashkimit Evropian duhet parë si një mundësi për Kosovën që të forcojë konsensusin politik, të stabilizojë institucionet dhe të demonstrojë aftësinë për të menaxhuar proceset demokratike në mënyrë të përgjegjshme. Vetëm me një brendësi të konsoliduar politike mund të arrihet një progres i qëndrueshëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe në raportet me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë”, përfundoi Dr. Mirsad Voca për “Bota sot”


