Vozitësit e institucioneve publike shëndetësore në vend janë të pakënaqur nga trajtimi nga Ministria e shëndetësisë. Thonë se rrogat e tyre janë nën rrogën minimale ndërsa nuk u paguhen as kompensimet dhe nuk kanë stazh të privilegjuar. Kryetari i sindikatës së pavarur Goran Ristevski thotë se do të kërkojnë takim me ministrin e shëndetësisë Fatmir Mexhiti me qëllim që t’i zgjidhin problemet, në të kundërtën paralajmërojnë protesta.
“Mendojmë se pas takimit të sotëm duhet të bëhet korrigjim i marrëveshjes së përgjithshme kolektive, në pjesën e koeficientit, zbatim adekuat i Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor ku sipas Rregullores ata duhet të kenë stazh të privilegjuar. Prej sot e tutje ne fillojmë të punojmë në dakordim dhe të negociojmë me ministrin e shëndetësisë dhe nëse nuk hasim në përgjigje pozitive nga ministri, problemet do t’i zgjidhim në mënyrë sistematike”, tha Goran Risteski, kryetar i Sindikatës së Pavarur Mjekësore.
Njëkohësisht edhe personeli teknik në institucionet shëndetësore kërkojnë rritje të rrogave për 30% dhe kushte më të mira për punë. Sindikata e pavarur e Gerontologjisë nuk pajtohet me marrëveshjen e re kolektive duke thënë se brenda saj ka shumë gjëra të paqarta.
“Disa të punësuar janë në grupin e rrogës minimale edhe pse përpara kësaj ishin në grupe të tjera. Për shembull kur rroga minimale ishte 15.200 këta merrnin nga 17 mijë. Kjo do të thotë se koeficienti i tyre aktual në vend të 1,877 duhet të jetë 2,362 dhe të marrin rroga të rritura siç u takon të tjerëve. Këtu janë përkujdesësit dhe vozitësit e Ndihmës së parë”, tha Llazar Kostovski, Sindikata e Pavarur e Gerontologjisë.
Nga këto organizata sindikale thonë se është i papranueshëm niveli i rrogave të tyre në kushte kur rrogat e funksionarëve u rritën për 78%. Para dy ditëve nga Ministria e shëndetësisë njoftuan se në shtator do të mbahet takim ku në mënyrë të detajuar do të shqyrtohen çështjet aktuale ndër të cilat është edhe përllogaritja dhe pagesa e rrogave në veprimtarinë e shëndetësisë.