Sindikata e punëtorëve të Jugohromit kërkon që Qeveria të ushtrojë presion mbi pronarët e kombinatit që të përshpejtohet vënia e filtrave. Megjithatë gjatë takimit me kabinetin qeveritar ata kanë kërkuar që gjatë kësaj periudhe të fillojnë me punë ndërkohë që paralelisht të punohet edhe për filtrat.
Na premtuan se do të gjejnë një zgjidhje që do jetë e kapshme edhe për punëtorët edhe për qytetarët e Tetovës dhe rrethinës. Kërkesa jonë ishte që ne gjatë kësaj periudhe kohore që s`ka ndotje të fillojmë me punë dhe paralelisht të bëhet edhe sistemi i filtrimit. Po ashtu kërkesa tjetër ishte që ata të bëjnë presion ndaj pronarit që ai të investojë dhe ta kryej obligimin e vet që ka- tha Bajram Amiti, kryetar i Sindikatës së Jugohromit.
Nga ana tjetër, drejtuesi i Eco Guerillës, Arianit Xhaferi,është shprehur se, mundësia e vetme e hapjes së Jugohromit është ajo me filtra, ndërsa çdo tentim tjetër do ishte provokim për banorët e Tetovës.
Pozitive do ishte hapja me filtra e Jugohromit dhe çfarëdo hapje tjetër e Jugohromit do të jetë negative, e dëmshme dhe rrezikshme për qytetarët e Tetovës dhe Pollogut në përgjithësi. Në këtë drejtim po përmend tre pika kryesore. E para, nuk mund t’i besojmë një kompanie Offshore, e aq më pak Jugohromit, i cili ka shkelur çdo afat deri më tani dhe kështu duke vënë në rrezik shëndetin dhe jetët e qytetarëve të Tetovës. E dyta me rëndësi është se nga nëntori i vitit 2016 e këndej, që nuk ka punuar Jugohromi Tetova ka ajër më pak të ndotur për 56 për qind. Dhe e treta më e rëndësishmja është se një pjesë e punëtorëve të Jugohromit tanimë kanë gjet punë në kompani tjera duke mos qenë në gjendje ti besojnë këtij menaxhmenti joserioz- tha Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla.
Përndryshe, sipas informatave që arritëm t`i sigurojmë nga Jugohromi, puna rreth ndërtimit të filtrave atje, ka ndaluar tashmë, ndërsa pronarët e Jugohromit, presin që në fillim të marrin garanca, gjegjësisht të realizojnë një takim me krerët e Qeverisë dhe më pastaj të vazhdojnë punët rreth ndërtimit të filtrave.
Nga kabineti i kryeministrit, pas takimit me sindikatën e punëtorëve të Jugohromit njoftuan se së shpejti do të realizohet takim me menaxhmentin e kombinatit Jugohrom.
Bashkim Sulejmani

