Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë e dorëzoi në Kuvend iniciativën me të cilën pagat e funksionarëve duhet të ulen për 80%. Nëse pranohet iniciativa e tyre, me të cilën kërkojnë që baza për përllogaritje të jetë paga minimale, e jo paga mesatare si tani, funksionarët në vend do të kishin pagë deri rreth 1.000 euro, në vend të 2.000 deri 3.000 eurove sa janë tani. Deputetëve u japin afat deri të martën që në seancë të miratohet kjo zgjidhje, përndryshe thonë se do të mbledhin 10.000 nënshkrime dhe si propozues i autorizuar vetë do t’i dorëzojnë ligjet në Kuvend.
“Iniciativa është në drejtim që edhe ata, ashtu si punëtorët, ashtu siç i bindin punëtorët se jetohet mirë me pagë minimale, të ndryshohet neni 11 i të njëjtit ligj dhe në vend që si deri tani baza për përllogaritjen e pagës së funksionarëve të jetë paga mesatare, të jetë paga minimale. Për më tepër kërkojmë që koeficienti i kompleksitetit për përcaktimin e kompensimit të pagave të përcaktuara me këtë ligj të ulet për 40 për qind, ose gjithsej 80 për qind ulje të pagave të funksionarëve”, tha Sllobodan Trendafillov, Kryetar i LSM-së.
Ndërkohë, funksionarët tani me pagën e shkurtit, të cilën do ta marrin në mars, duhet të marrin rritje prej 200 deri 300 euro, pra për aq për qind sa është rritur paga mesatare vitin e kaluar. Enti Shtetëror i Statistikave më 20 shkurt duhet ta publikojë të dhënën për dhjetorin, por sipas vlerësimeve të analistëve ajo vitin e kaluar ka rritje mbi 9 për qind. Nuk ka vendim të Qeverisë, ndërsa ministri i Ekonomisë Besar Durmishi dje tha se po presin të dalin të dhënat e statistikave dhe pastaj do të marrin vendim. Tha se vendimi me shumë gjasë do të jetë si vitin e kaluar, kur rritja e pagave të funksionarëve u ndal me uljen e koeficientëve për përllogaritjen e pagave.
“Në muajin shkurt do të dalin të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave ku do të shohim se cila është situata dhe në përputhje me këtë pastaj do të veprojmë. Qëndrojmë në atë qëndrim se nuk kemi, që kur kemi ardhur ne, nuk kemi sjellë asnjë vendim, dhe as nuk do të sjellim vendim me të cilin do të rriten pagat e funksionarëve”, u shpreh Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë dhe Punës.
Por sindikalistët janë kategorikë se një vendim nuk mund të zhbëj ligjin. Paralajmërojnë se gjyqtarët dhe prokurorët tashmë kanë dorëzuar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese që të “shkrijnë” ngrirjet përmes koeficientëve që i bëri qeveria, për të mos u rritur pagat e funksionarëve. Thonë se nëse miratohet ajo iniciativë, pagat e funksionarëve momentalisht do të rriteshin rreth 40 për qind, ose në një pagë prej 2.000 euro kjo do të ishin edhe 600 euro shtesë. Thonë se një vendim i tillë një herë është marrë dhe asgjë nuk e pengon të merret sërish. Pikërisht me vendimin e gjyqtarëve kushtetues të vitit 2023, pagat e funksionarëve u rritën për 78 për qind.


