Sindikata e diplomacisë së Maqedonisë kërkon heqje urgjente të sistematizimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme me të cilin, siç pohojnë nga atje, shumë diplomatë janë degraduar, ndërsa shumë prej tyre kanë mbetur edhe me pozicione “status kuo” edhe përkundër përvojës së tyre shumëvjeçare.
“Ky sistematizim e paraqet Natën e Bartolomeut për diplomacinë e vendit. Nën arsyetimin për nevojë të uljes së vendeve udhëheqëse të punës, mbi 30 diplomatë janë degraduar në mënyrë selektive dhe degraduese edhe në kundërshtim me rregullat ligjore, që është rasti i parë sistematik i degradimeve që prej vitit 1991. Në profesionin në të cilin nevojiten dhjetëra vite përvojë për krijim të kuadrove cilësore profesioniste, një numër i madh i diplomatëve brenda natës janë margjinalizuar me degradim në pozita joadekuate. Degradimi i këtillë profesional është i shoqëruar edhe me degradim financiar, duke pasur parasysh se udhëheqësia e MPJ-së nuk është kujdesur që t’i mbrojë të punësuarit të cilëve u janë ulur rrogat dhe kontributet, përfshirë edhe ata të cilët janë para pensionimit. Për atë shkak dolën një numër i madh i ankesave dhe padive gjyqësore kundër kryesisë së Ministrisë”, thuhet në kumtesën e sotme të Sindikatës së diplomacisë së Maqedonisë së veriut.
Krahas degradimeve, thonë nga sindikata, sistematizimi i ri i groposi në status kuo pozitat e një numri të madh të diplomatëve të cilët edhe pas rreth dhjetë viteve punë nuk ishin avancuar në mënyrë adekuate të njohurive dhe përvojës së tyre. Parandalimi i zhvillimit të tyre, konsiderojnë, është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për punë të jashtme dhe vepron negativisht jo vetëm ndaj tyre dhe karrierave të tyre, por edhe ndaj aftësive të mbarë diplomacisë.
“Për fat të keq, është humbur mundësia që ky sistematizim ta organizojë shërbimin diplomatik në mënyrë bashkëkohore, me çka do të fitohej efikasitet, cilësi dhe shkathtësi. Është ruajtur koncepti prej fillimit të viteve të nëntëdhjeta, i cili është tejet i centralizuar dhe jofleksibil. Ministri e kontrollon punën e të gjithë të punësuarve, përfshirë edhe shërbimet teknike, ndërsa njësitë organizative e trajtojnë problematikën nga aspekti tematik në vend të atij përmbajtësor, kështu që përmbajtje të ngjashme u ndahen trupave të ndryshëm, pa koordinim të tyre thelbësor. Për mosfunksionalitetin kontribuon edhe shkrirja e ngathët e drejtorive të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët, përveç dëshirës që në mënyrë jonatyrore të ulet numri i tyre”, shtohet në kumtesë.
Për shkak të shkeljes së këtillë masovike të të drejtave të punës dhe stagnimit të efikasitetit të shërbimit diplomatik, Sindikata e diplomacisë së Maqedonisë kërkon tërheqje më se urgjente të sistematizimit dhe përfshirje në përgatitjen e një sistematizimi të ri modern, i cili do të japë kontribut në krijimin e diplomacisë moderne, të aftë t’u përgjigjet sfidave bashkëkohore. Sistematizimi, potencohet në kumtesë, është në interes dhe me rëndësi për të gjithë të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e jo e një pjese të vogël elite të diplomatëve.



