Njohësi i rrethanave politike në Maqedoni, profesori Arsim Sinani, ka thënë se partitë shqiptare në Maqedoni duhet të ndërtojnë platformë të qëndrueshme, e cila i mbron të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Sinani ka thënë se platforma e cila është ndërtuar këto ditë nga tri partitë shqiptare është e vonuar. Ai ka thënë se kjo platformë është “vello për ta ruajtur nusërinë me elitën politike maqedonase”. Sinani ka theksuar se shqiptarët në këtë shtet duhet të jenë të unifikuar rreth temave që janë urgjente dhe që kërkojnë zgjidhje, si çështja e arsimit shqip dhe regjistrimi i popullsisë në mënyrë që të dihet numri real i shqiptarëve në Maqedoni.
“Epoka e re”: Z. Sinani, partitë shqiptare në Maqedoni (BDI), Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët janë pajtuar me një platformë të përbashkët për t’i çuar përpara të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet. Sa jeni optimist se kjo platformë do të realizohet?
Sinani: Lajmi është i mirë, pasi kemi moskomunikim mes partive politike shqiptare, të cilin në të kaluarën e instaluan BDI-ja dhe PDSH-ja, duke e prishur këshillin mbipartiak që ishte një institucion i cili i jepte kah të duhur politikës shqiptare në Maqedoni. Po filloj nga kjo premisë, sepse mendoj se është e rëndësishme për ta kuptuar gjenezën e problemeve në spektrin politik shqiptar. Platforma realisht është hap i vonuar pasi që nga viti 2002 deri tash më 2017 është humbur shumë kohë me inate që kanë qenë të natyrës personale, pasi liderët shqiptarë në fjalë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, nuk komunikonin as për një kafe dhe aktivistët grindeshin pa nevojë. Prandaj, dy subjektet e reja, Besa dhe Lëvizja për Reforma e PDSh-së, manifestojnë sot një mençuri duke e vënë para sfidës së radhës partinë BDI dhe lidershipin e saj. Se sa do të funksionojë kjo platformë flet më së miri Marrëveshja e Prizrenit.
“Epoka e re”: Cila marrëveshje?
Sinani: Në të kaluarën, në kohën kur Ali Ahmeti ishte i panjohur dhe në hije, dy liderët e partive shqiptare, Arbën Xhaferi dhe Imer Imeri, nënshkruan një marrëveshje mes krahut politik dhe ushtarak shqiptar që u quajt Marrëveshja e Prizrenit. Është interesante të thuhet se liderët politikë të asaj kohe nuk hoqën dorë nga UÇK-ja dhe Marrëveshja e Prizrenit, pra u qëndruan sfidave nga partitë politike maqedonase dhe presionit të përgjithshëm. Këtë qëndrim lipset ta mbajë sot establishmenti politik shqiptar. Edhe te platforma është një lojë e cila i jep patriotizëm aq të munguar Ali Ahmetit, kurse kontestimi im është tek ajo sepse nuk ka as garantues, as dinamikë dhe as një trup i cili do ta jetësonte këtë marrëveshje. Prandaj them se lipset të rishikohen çështjet, pasi po këta, deri dje që nuk bënë asgjë tani paraqiten me platformë e cila nuk është shikuar nga të gjithë, por thjesht është një lojë e cila karikon patriotizmin e harxhuar ndër vite.
“Epoka e re”: Ju jeni deklaruar se kjo platformë ka një sërë mangësish nga aspekti teknik. Çfarë duhet të ndryshohet në të?
Sinani: Po, kam thënë se ka mangësi sepse pas projekteve kombëtare gjithnjë fshihen dështimet e atyre që kanë marrë në dorë kauzën kombëtare dhe kanë abuzuar me të. Argumenti im është se qeverisja në ikje VMRO-BDI-PDSH abuzoi me gjithçka që është nacionale shqiptare. Ky është shqetësimi im. Ajo çfarë vërehet e që është e dukshme, është se çështja e parë që do të duhej të vendosej në agjendë është regjistrimi i popullsisë që nuk arritën ta realizojnë këto parti deri më sot. Ky lipset të jetë fillimi i asaj për të kuptuar se sa është numri real i shqiptarëve. Për më shumë patëm një regjistrim të dështuar, pasi pala maqedone e pa se numri i shqiptarëve i kalonte parashikimet e tyre, ndërsa një numër i madh u regjistruan si bullgarë. Po ashtu, çështja thelbësore dhe esenciale që është harruar ka të bëjë me ish-pjesëtarët e UÇK-së. Ata duhet ta fitojnë statusin e veteranëve dhe t’i gëzojnë benifitet si ata maqedonas. Nëse lufta e vitit 2001 solli ndryshime, atëherë nuk ka logjikë që pjesëtarët e UÇK-së të injorohen. Buxheti dhe investimet në palën shqiptare nuk mund të vendosen thjesht me një fjali të përgjithshme, pasi kërkon elaborim jo vetëm nga politikanët shqiptarë, por edhe nga inteligjenca shqiptare dhe ekspertët e lëmenjve. Çështja e arsimit shqip, e cila edhe sot, derisa flasim, është diskriminuese. Asnjë shkollë e ndërtuar dhe nuk ka asnjë fond. Çështja e shqiptarëve që jetojnë në vendbanime, si: Ohri, Manastiri, Prespa, Prilepi, Krusheva dhe komunat e tjera që janë nën 20 për qind dhe që janë të degjeneruar nga VMRO-ja. Pra, çfarë do të bëhet me to.
Në kulturë kemi një program nacional sllavomaedonas që ka shkelur mbi kulturën shqiptare. Derisa ne flasim këtu, nuk ka asnjë fond për bibliotekat shqipe, për bibliotekat e shkollave, për qendrat kulturore që nuk funksionojnë. Teatrot kanë mbetur të lëna në gjysmë, biblioteka e Tetovës ka mbetur një vrimë e madhe e zezë në mes të Tetovës. Pastaj po ndodh tjetërsimi i trashëgimisë kulturore shqiptare deri te librat që po financohen nga shteti. Thjesht, këto janë broçkulla që nuk i hyjnë në punë askujt. Ky është vetëm një segment i shqetësimeve, sepse unë mund të flas me orë të tëra për këto probleme. Ndarja e pushtetit real mes shqiptarëve dhe maqedonëve nuk ka ndodhur kurrë. Deri te çështja e rikthimit të shtetësisë dhe pasurisë së familjes së Mehmet Pashë Derrallës dhe shtëpia e Halim beut që është braktisur edhe sot, ndërsa me të luajnë pushtetet në IRJ të Maqedonisë. Për mendimin tim, ky është kalkulim politik për të mbijetuar edhe ndonjë ditë kjo klasë politike. Nëse do të na ftonin, me shumë zell do të punonim me kolegë që ta ndërtojmë një platformë të qëndrueshme e cila do të ishte e pranueshme për të gjithë. Platforma e stome është vello për ta ruajtur nusërinë me elitën politike maqedonase. Parimi i Badinterit është ajo që lipset të jetësohet në çdo institucion si mekanizëm që mos të diskriminohen shqiptarët. Së pari, 25 për qind e çdo institucioni lipset të frymojë shqip e deri te regjistrimi i drejtë i popullsisë. E dini ju se ka ekip që pengon regjistrimin e shqiptarëve? Shumë qytetarë që nuk kanë shtetësi janë fshirë nga lista e të qenit qytetar i këtij vendi nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
“Epoka e re”: Arsimimi dhe përdorimi i gjuhës shqipe janë vetëm dy nga pikat kyçe të Marrëveshjes së Ohrit të cilat nuk po gjejnë zbatim. Ku është problemi i zbatimit të kësaj marrëveshje?
Sinani: Marrëveshjen e Ohrit e kanë administruar persona me aftësi të kufizuara politike dhe intelektuale, që llogari i kanë dhënë partisë e jo popullit i cili kërkonte rezultate. Mënyra e kësaj qeverisjeje dhe menaxhimi i Marrëveshjes së Ohrit, duke e shndërruar në një çerdhe për aktivistë partiakë që kanë nevojë për një kafshatë bukë, e ka sjellë në këtë nivel këtë institucion. Shikoni se çfarë doli nga incizimet e ish-zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi. Ai doli goxha bashkëpunues me palën maqedonase. Nuk e kuptoj ku e gjen atë guxim që edhe sot ai del para opinionit shqiptar. Në vend që si akt moral të japë dorëheqje, Musa Xhaferi vazhdon që pa fije turpi të rrijë në rreshtin e parë në BDI, ndërsa njerëzit ikin prej tij se u vjen turp kur e shohin. E kam parë me sytë e mi në aktivitetin e presidentit të Kosovës në Shkup se si iknin prej tij njerëzit e BDI-së. Ky është tregues se çfarë politikanësh janë marrë me marrëveshjen e Ohrit. Shikoni se çfarë pasurish kanë bërë këta njerëz, pastaj do ta kuptoni më së miri se ku qëndron problemi. Ai i cili do të jetë në të ardhmen në një qeveri normale, qoftë në postin e zëvendëskryeministrit, lipset të jetë intelektual dhe i dëshmuar në lëmin e vet. Shqiptarët kërkuan ndryshime që edhe marrëveshja e Ohrit të implementohet. Nga dita që Nikolla Gruevski u bë kryeministër, marrëveshja e Ohrit është e ngrirë dhe nuk ka rezultate. Kjo marrëveshje nuk ka as fonde. Kjo është e vërteta që opinioni lipset ta dijë, ta kuptojë dhe ta analizojë.
“Epoka e re”: Tani të kthehemi tek situata në Kosovë. Ju shpesh jepni qëndrime për ngjarjet në vendin tonë. Çfarë mendoni për murin e ndërtuar tek ura e Ibrit, për arrestimin e Ramush Hardinajt dhe, së fundi, ndalimin e trenit serb?
Sinani: Muri i ndërtuar në Mitrovicë është një tentim i Rusisë që nëpërmjet Serbisë ta mbajë Ballkanin Perëndimor një fuqi baruti për interesat e veta. Ka shenja se Serbia hapur është duke e luajtur lojën e Rusisë. Deri në momentin e ndërrimit të administratës amerikane serbët do të tentojnë ta destabilizojnë situatën në Kosovë, pra që t’i krijojnë sa më shumë vështirësi Amerikës. Por, Serbia po e harron këtë gjë: Amerika është shtet shumë serioz dhe jo rastësisht është lider në botë. Treni i Vuçiqit ishte një kartë që po përdoret për gjeostrategjinë ruse, ndërsa në ditët e ardhshme do të shohim edhe tentime të tjera. Sa i përket çështjes së Ramush Hardinajt, ka qenë e ditur se do të lirohet, sepse është i pafajshëm. Franca është mikja jonë dhe nuk bën kalkulime, pasi është një nga lideret botërore. Fati ynë është se me francezët po ndërtojmë miqësi afatgjatë.
“Epoka e re”: Kosova numërohet një nga partnerët më të fuqishëm tregtar të Maqedonisë. Pse ka një mospërputhje të tillë në agjendën politike karshi asaj ekonomike?
Sinani: IRJM, FYROM apo si doni quajeni, ka probleme me mentalitetin e vet. Në të kaluarën konsiderohej si Banovinë serbe që tregon se ka qenë e varur nga Serbia. Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e mentalitetit është ndërtuar në këtë vijë, që shqiptarin e sheh si gjë të keqe, si një rrezik dhe si një kanosje. Por, kjo është kauza e gabuar që e kanë ndërtuar sllavomaqedonasit e sotëm të ndikuar nga Beogradi. Kosova i zgjodhi të gjitha problemet me këtë vend, ndërsa ky vend, në vend se ta shikojë Kosovën si një vend me mundësi për ekonominë e saj, bën disa kalkulime që në aspektin ekonomik as serbët nuk i bëjnë. Një vend i vogël me kaq shumë pretendime është problematik, prandaj shqiptarët e shikojnë me kujdes, duke u dhënë mundësi të lirohet nga ëndrrat e këqija që i shohin natën. Duke udhëtuar çdo ditë për në Prishtinë e shoh autostradën “Arbër Xhaferi” se si po rritet, ndërsa nga Shkupi në Elez Han më duket vetja si në mesjetë. Kjo tregon për sëmundjen kronike që kanë zyrtarët e sotëm në Shkup.
“Epoka e re”: E përmendet autostradën “Arbër Xhaferi”. Ju keni punuar prej vitesh me Arbën Xhaferin?
Sinani: Po, është e vërtetë, nga viti 1994 deri në fundvitin e 1999-s kam punuar afër tij por, për shkak se nuk pajtohesha me lidershipin që e drejton sot PDSH-në, u tërhoqa pasi nuk e shihja vetveten me këtë mentalitet. Nuk doja të bëjë veprime të cilat u treguan në 2001-n e deri më sot, sepse ishin veprime të dëmshme për shqiptarët. Megjithatë, ruaj kujtime të bukura nga koha sa kam punuar afër Arbër Xhaferit. Sa për dijeni, mund t’jua kujtoj një detaj gjatë luftës së Kosovës. Unë koordinoja aktivitete me rëndësi për Kosovën dhe në një moment kufijtë u bllokuan dhe ne nuk bënim veprime. E kërkova në telefon dhe i thashë se po nisesha me shokët e mi në Bllacë me një autobus, sepse nuk e duronim dot atë situatë të vështirë. Të nesërmen herët në mëngjes ai kishte shkuar në Ambasadën Amerikane dhe më kërkoi në telefon. Kur shkova në zyrë, më tha: ‘Gjithçka ishte në rregull dhe është mirë që ne ta kryejmë punën tonë’. Vazhduam edhe me më shumë përkushtim të merremi me aktivitetet që, fatmirësisht, përfunduan ashtu siç deshëm të gjithë ne.
“Epoka e re”: Sa mendoni se Kosova është afër integrimit në BE?
Sinani: Për mendimin tim, Republika e Kosovës është afër integrimit, por kjo çështje tani mbetet pezull për shkak se Evropa ka probleme të tjera dhe nuk e dimë se çfarë kahe do të marrë politika e zgjerimit ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Evropë ka skeptikë që mendojnë se ne s’kemi çfarë kërkojmë të jemi pjesë e Evropës, ndërsa ne e mendojmë të kundërtën. Lipset të lobojmë më shumë që evropianët ta kuptojnë se mentaliteti ynë nuk dallon prej tyre. Por, lipset kohë në këtë drejtim.
“Epoka e re”: Pas Brex-it është përfolur se Bashkimi Evropian është në krizë. Si e shihni të ardhmen e BE-së?
Sinani: E ardhmja e Evropës gjithnjë ka qenë me probleme. Pres që Evropa ta gjejë rrugën e vet karshi Rusisë e cila po sfidon në politikën e jashtme duke përdorur fuqinë e muskujve. Këtë sfidë Evropa nuk lipset ta pranojë, por të kërkojë që ta gjejë formulën që të ecë tutje. Nëse dje kishte një referendum nga Britania e Madhe për dalje nga Evropa, nesër mund të vijnë forca që do të kërkojnë referendum për kthim në Evropë. Pres që Amerika shpejt të veprojë dhe t’i vendosë balancat që po i prishin Rusia dhe aleatët e saj.